Prokuroria: Të akuzuarit patën rol të fortë kolektiv në Shtabin e UÇK-së

Prokuroria në Hagë e ka nisur fjalën e vet duke thënë se të akuzuarit kanë pasur rol të fortë kolektiv si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”.

Hashim Thaçi përshkruhet si njëri prej themeluesve të UÇK-së, duke cituar disa deklarata të Azem Sylës.

Në fjalën e saj, Prokuroria pretendon se Hashim Thaçi ka qenë përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal, dhe se sipas tyre, kjo mund të vërtetohet nga mënyra se si ai ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Prokurorët u referuan më pas disa deklaratave në Komunikatën 53 të UÇK-së, të datës 18 shtator 1998, ku Shtabi i Përgjithshëm deklaroi se “vetëm në Sferkë, Prapaqan dhe Baran, ku dezertorët, ish-anëtarë të UDB-së, aktualisht institucionalistët sikurse Tahir Zemaj kanë influencë, armiku nuk gjeti rezistencë, pavarësisht se këto fshatra u dogjën, u përvëluan dhe u shkatërruan. Një ditë këta persona do të mbajnë përgjegjësi për dëmet që po u shkaktojnë popullit dhe mëmëdheut”.

Sipas Prokurorisë, ky ishte një mesazh i qartë për ata që pengonin kontrollin e UÇK-së.

Prokuroria po pretendon se Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, përfshirë edhe James Rubin dhe Wesley Clarkun për atë që po ndodhte në realitet.

Sipas Prokurorisë, “ata nuk e dinin se ai [Thaçi] mund të bënte emërime ushtarake…Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”.

Prokuroria: Rubin, Clark e ndërkombëtarët tjerë s’e kuptuan që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte

Radha për Veselin në Hagë

Prokuroria ka përfunduar fjalën e saj për Hashim Thaçin dhe tani i ka ardhur radha Kadri Veselit.

Sipas Prokurorisë, edhe gjatë fjalës për Veselin duhet të tregohet kujdes i veçantë ndaj deklaratave të ekipeve mbrojtëse, dhe seanca vazhdoi për disa minuta e mbyllur për publikun.

Edhe për Kadri Veselin, Prokuroria pretendon se ai ka qenë një figurë shumë e rëndësishme në emërimin e komandantëve.

Sipas Prokurorisë, Veseli ka marrë pjesë në vendimet për të përzgjedhur persona që të mbikëqyrin “operacionin e torturës”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë prezent në sallën e gjyqit.

Dita e dytë e deklarimeve përfundimtare në Hagë: ZPS-ja sot përmbyll fjalën, nis mbrojtësi i viktimave

Të fundit nga rubrika