OVL e UÇK-së e cilëson të vonuar Rezolutën për Specialen – ndikimi i saj i kufizuar

Rezoluta e miratuar mbrëmë nga Kuvendi i Kosovës për Gjykatën Speciale, është mirëprit nga OVL e UÇK-së, e cila e konsideroi si hap të vonuar, por të nevojshëm në mbrojtje të vlerave të luftës. Megjithatë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, dokumente të tilla kanë kryesisht peshë politike dhe simbolike e LDK-ja që nuk mori pjesë në votim dje, tha se rezoluta është selektive.

Në seancën e dytë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, votimi për rezolutën e Partisë Demokratike për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, nuk solli një konsensus të plotë.

Me 90 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim, ajo kaloi por pa pjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike dhe kundërshtimin e Fatos Gecit të partisë GUXO, pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një sqarim publik, LDK e ka cilësuar si selektive dhe të pjesshme rezolutën.

“Drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”, thuhet në deklarimin e LDK-së.

Votimin e saj e ka mirëpritur OVL e UÇK-së, e cila kritikat nuk i kurseu për ata që e kundërshtuan.

“Mendoj, ajo shprehja: Më mirë vonë se kurrë. Është dashur shumë më herët të ndodhë nga institucioni që e ka kriju, ja ka dhanë mundësinë me u kriju kjo gjykatë. Krejt ky proces, e mira e gjithë kësaj është që po e pranojnë edhe institucionet që lufta e UÇK-së është vlerë e secilit. Unë nuk dua të lëshohem në nivelin e atyre që nuk e votuan atë. Megjithatë mendoj se kërkesa e grupit parlamentar të LDK-së nuk ka të bëjë me këtë gjykatë. Mendoj se edhe ne dhe ata në Hagë kemi kërku përherë të zbardhen vrasjet dhe këtë duhet ta bëjnë institucionet tona. Mendoj se treguan një ligësi të tyre se si falë kësaj lufte, edhe ata që votuan kundër, lirinë e fituan përmes kësaj lufte”, deklaroi Xhavit Jashari nga OVL e UÇK-së.

Për nga ana juridike, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, kjo rezolutë nuk pritet që të ketë peshë të lartë.

“Për nga ana juridike, rezoluta tregon një qëndrim, një vullnet të Republikës së Kosovës për një çështje të caktuar. Mirëpo, s’është dokument që ka efekt të caktuar në gjykim. Për nga pesha, dokumente të tilla paraqesin vullnetin e Kuvendit dhe jo më shumë për efektin juridik. Është në fazë të vonshme si rezolutë, e dimë në çfarë faze është procesi në Hagë. Në rastin konkret, Gjykata Speciale dihet si vepron dhe në çfarëdo rasti s’mundet me pas ndonjë efekt”, u shpreh Gëzim Shala, hultumtues në IKD.

Përmes kësaj rezolute të përpiluar nga Partia Demokratike, kërkohet respektimi i ligjit si dhe të drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. Aty kërkohet edhe respektimi i drejtave të njeriut dhe gjykim i drejtë.

Kjo rezolutë u miratua edhe në Kuvendit e Shqipërisë.

Të fundit nga rubrika