Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe rreth 22 të tjerë janë lënduar pasi një ndërtesë, e përdorur si strehë e përkohshme për punëtorë, u përfshi nga zjarri në orët e hershme të së premtes në një periferi të kryeqytetit të Hungarisë, njoftuan autoritetet.
Zjarrfikësit arritën të fiknin flakët në Budakeszi, sipas Drejtorisë Kombëtare të Hungarisë për Menaxhimin e Katastrofave, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Në vendngjarje u dërguan më shumë se 40 mjekë dhe 18 automjete emergjence.
Zjarrfikësit shpëtuan disa të mbijetuar dhe nxorën tre bombola gazi nga ndërtesa. Trupat e dy burrave dhe një gruaje u gjetën nën çatinë e shembur të ndërtesës, tha një zëdhënës i autoritetit të menaxhimit të katastrofave.
Gjatë një konference për media të premten, një zëdhënës i Policisë së Qarkut Pest tha se zjarri ka nisur nga shpërthimi i njërit prej dhomave. Ai shtoi se në ndërtesë janë gjetur disa parregullsi, përfshirë përdorimin e gazit jashtë standardeve të sigurisë.
Policia ka nisur një hetim penal për rastin.
Mjekët trajtuan 22 persona për plagët e marra gjatë zjarrit, përfshirë katër që janë në gjendje të rëndë.
Të lënduarit u transportuan në tetë spitale të Budapestit për trajtim të mëtejshëm.