GLPS kërkon të shpallet konkurs për Kryeprokuror të Shtetit

Mbajtja e mbledhjes dhe miratimi i Rregullores për Zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të KPK-së, zgjedhja e Kryesuesit dhe e Zëvendëskryesuesit, shpallja e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, plotësimi dhe ndryshimi i Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të KPK-së si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, janë pesë prioritetet që GLPS ia ka propozuar Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

GLPS në një konferncë për media ka vlerësuar se prioritetet e lartcekura dhe qasja bashkëpunuese e përbërjes së re të Këshillit ndaj publikut, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë do të reflektonte një hap konkret drejt konsolidimit institucional të KPK-së dhe përmbushjes së detyrimeve ligjore për një sistem prokurorial funksional, të besueshëm, transparent e llogaridhënës.

Liridon Salihu nga GLPS tha se asnjëherë më parë KPK nuk ishte përballë me mungesën e kryesuesit por edhe të zëvndëskryesuesit.

“Asnjëherë më parë KPK nuk ka pasur një situatë të tillë ku nuk ka pasur kryesues dhe zëvendëskryesues, dhe normalisht që kjo kompetencë për këtë takim i takon ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit si anëtar ex-officio. Ne kemi sugjeruar dhe prioritet i kemi dhënë miratimit të rregullores së zgjedhjes së Kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, i cili më pas është hap i domosdoshëm për zgjedhjen e Kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK si prioritet i dytë për këtë institucion. Sa i përket zgjedhjes së kryesuesit, në bazë të ligjit kjo i takon anëtarit prokuror, ndërsa zëvendëskryesuesit i takon anëtarit joprokuror”, tha ai.

Salihu përmendi edhe funksionimin e deri tanishëm Kryeprokuror të Shtetit me ushtrues detyre dhe jo me një mandat të plotë, e për cka kërkojnë që të hapet një konkurs për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit e i cili konkurs duhet të jetë proces i ligjshëm dhe i bazuar në meritokraci.

“Nga prioritetet që ne kemi identifikuar dhe sugjerojmë KPK që t’i ketë në bazë institucionale është edhe çështja e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Siç jeni edhe në dijeni, tash e katër vite Republika e Kosovës nuk ka Kryeprokuror të Shtetit me mandat të plotë dhe për këto katër vite kemi vetëm ushtrues të detyrës për këtë pozitë. Prandaj, përveçse kërkesë e shoqërisë civile në Kosovë është edhe kërkesë e raporteve ndërkombëtare që Këshilli Prokurorial i Kosovës një nga vendimet e para pas funksionalizimit të plotë është që të marrë vendimin për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Sikurse edhe në të kaluarën kur është zhvilluar procesi i fundit për këtë pozitë, GLPS vlerëson që KPK duhet të përkujdeset që i gjithë konkursi të jetë i ligjshëm dhe që personi që vihet në këtë pozitë të jetë me meritë dhe të plotësojë të gjitha kriteret ligjore për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Vetëm një proces i ligjshëm, i bazuar në meritokraci mund të sjellë kandidat dhe të emërohet në pozitën më të rëndësishme brenda sistemit të drejtësisë, siç është ajo e Kryeprokurorit të Shtetit”, nënvizoi Salihu.

Prioritet tjetër GLPS i ka dhënë edhe plotësimit të pozitave brenda KPK-së, e ku njëra nga pozitat duhet të plotësohet nga sistemi prokruorial dhe tjetra nga legjislativi.

“Nga ndryshimet e ligjit të KPK, siç e dini, nga 13 anëtarë sa kishte më herët, tashmë KPK do të përbëhet nga 7 anëtarë. Aktualisht KPK ka pesë anëtarë, përfshirë edhe anëtarin ex-officio, pra Kryeprokurorin e Shtetit, dhe dy pozita mbesin vakante që duhet të plotësohen. Njëra nga këto pozita duhet të plotësohet nga sistemi prokurorial, pra nga prokurorët e prokurorive themelore, dhe një pozitë tjetër nga ana e legjislativit, përkatësisht Kuvendit të Kosovës”, shpjegoi Saliu.

E kërkesë jo veç e shoqërisë civile në Kosovë por edhe raporteve ndërkombëtare është rritja e transparencës dhe llogaridhënies.

Salohu për këtë thotë se KPK duhet të jetë më i hapur me publikun dhe shoqërinë civile, pasi që deri më tani ky organ ka treguar mungesë të transaprencës.

|Rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Siç e dini, në vazhdimësi edhe shoqëria civile por edhe raportet ndërkombëtare e kanë kritikuar Këshillin Prokurorial të Kosovës për mungesë të transparencës dhe mbyllje ndaj publikut. Prandaj, njëra ndër obligimet, prioritetet kryesore që i vihen barrë KPK është edhe respektimi i parimit të transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Kjo nënkupton që KPK duhet të jetë më i hapur ndaj publikut, më i hapur ndaj shoqërisë civile duke lejuar dhe ftuar ata të monitorojnë procese qoftë për rekrutim, avancim apo edhe transferim të prokurorëve, aq më tepër në konkursin që ka të bëjë me kryeprokurorë apo edhe Kryeprokurorin e Shtetit”, potencoi Salihu nga GLPS.

Salihu ka shpërfaq edhe bojkotimet e mbledhjeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës që ndodhën në tre muajt e fundit të 2025-ës.

“Rregullorja për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë. Siç e dini, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e ka nxjerrë një aktgjykim sa i përket kësaj çështjeje, por duhet ta kemi parasysh që kjo rregullore nuk është vlerësuar me meritë, mirëpo refuzimi i padisë është bërë për shkak se pala nuk e ka arsyetuar legjitimitetin aktiv. Prandaj, çfarëdo veprimi që mund ta parasheh ose tenton ta marrë KPK për të certifikuar rezultatet e nëntorit të vitit të kaluar vlerësojmë që nuk është i drejtë për shkak se rregullorja në fjalë ka shumë paqartësi dhe nuk ka adresuar drejt detyrimet që rrjedhin nga ligji i ndryshuar për KPK-në. Ndërsa për pika tjera GLPS vlerëson që ka dhënë një arsyetim të mjaftueshëm se si duhet të veprohet dhe është tejet e rëndësishme që KPK si organ kolegjial që administron në sistemin prokurorial në vend t’i marrë këto prioritete dhe të garantojë që sistemi prokurorial funksionon dhe mos të kemi situata që i kemi parë tre muajt e fundit të vitit 2025, me bojkotim të mbledhjeve të KPK ku ky këshill nuk mund të arrinte të bënte asgjë tjetër përveç se çështjeve që kishin urgjencë”, theksoi Salihu.

Shija e redaktorit

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Të fundit nga rubrika