Nëna e Navalny-t thotë se gjetja e helmit konfirmon se ai është vrarë

Nëna e opozitarit rus, Alexei Navalny, ka deklaruar se gjetjet e fundit mbi helmimin e tij konfirmojnë bindjen e saj se djali i saj është vrarë.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të shtunën, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatë evropianë thanë se Alexei Navalny, i cili vdiq në vitin 2024, ishte vrarë me një helm të zhvilluar nga një toksinë e bretkosës me shigjeta helmuese.

Sipas tyre, “vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse”.

Duke vizituar varrin e të birit në Moskë, në përvjetorin e dytë të vdekjes së tij, Lyudmila Navalnaya tha se “kjo konfirmon atë që e dinim që nga fillimi. Ne e dinim se djali ynë nuk vdiq thjesht në burg, ai u vra”.

Rusia i ka hedhur poshtë me forcë këto akuza. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska nuk i pranon akuzat, duke i cilësuar ato si të njëanshme dhe të pabazuara.

Edhe e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, e shënoi përvjetorin dyvjeçar të vdekjes së tij, duke shkruar në rrjetet sociale, “ne kemi arritur të vërtetën dhe një ditë do të arrijmë edhe drejtësinë”.

Ajo kishte deklaruar më herët se analizat e mostrave biologjike të nxjerra fshehurazi dhe të ekzaminuara nga laboratorë në dy vende të ndryshme, tregojnë se bashkëshorti i saj ishte “vrarë”, duke u bërë thirrje institucioneve përkatëse që të publikojnë rezultatet. Kremlini nuk kishte komentuar atëherë këto deklarata.

Dhjetëra qytetarë të Moskës, si dhe disa diplomatë të huaj, vizituan varrezat Borisovskoye, duke vendosur lule mbi varrin e Navalnyt. Një mesazh i lënë aty shkruante: “Alexei, të kujtojmë çdo ditë”.

Navalny ishte 47 vjeç kur vdiq në një koloni penale në Siberi, ku po vuante një dënim prej 19 vitesh për “ekstremizëm”.

Ai njihej si një kritik i ashpër dhe karizmatik i presidentit rus Vladimir Putin, duke organizuar fushata kundër korrupsionit në nivelet e larta të qeverisë dhe duke mobilizuar qindra mijëra mbështetës në protesta.

Në vitin 2020, ai i mbijetoi një helmimi të dyshuar me agjentin nervor Novichok, për të cilin mori trajtim mjekësor në Gjermani. Ai u kthye në Rusi një vit më pas, duke deklaruar se nuk donte të “hiqte dorë as nga vendi im dhe as nga bindjet e mia”. Me të mbërritur, ai u arrestua nga policia.

Pak më shumë se një vit më vonë, ai vdiq në koloninë penale “Polar Wolf”, mbi Rrethin Arktik. Në atë kohë, Kremlini deklaroi se Navalny kishte vdekur nga shkaqe natyrore. Autoritetet fillimisht refuzuan të dorëzonin trupin e tij, por ai u varros në Moskë në mars 2024.

Funerali i tij, ku morën pjesë mijëra qytetarë pavarësisht frikës nga ndërhyrja e policisë, ishte një nga tubimet e fundit të mëdha publike të mbështetësve të opozitës në Rusi, raporton BBC.

Represioni në Rusi është ashpërsuar vazhdimisht, sidomos pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Janë miratuar ligje të reja ndëshkuese dhe çdo shfaqje e qëndrimeve kundër qeverisë – qoftë përmes protestave në rrugë apo postimeve online – shpesh përfundon me dënime të gjata me burg.

Shumë bashkëpunëtorë të Navalnyt janë burgosur ose janë larguar nga Rusia. E veja e tij, Yulia, e cila ka marrë drejtimin e Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalnyt, përballet gjithashtu me rrezikun e arrestimit dhe jeton jashtë vendit së bashku me dy fëmijët e tyre.

Opozita ruse në mërgim është politikisht e fragmentuar dhe ka luftuar për të paraqitur një front të bashkuar, me fraksione të ndryshme që kanë dalë publikisht në konflikt.

Shija e redaktorit

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Të fundit nga rubrika