Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës solemne të Kuvendit për 18-vjetorin e Pavarësisë, ka theksuar rëndësinë e sakrificës së luftëtarëve dhe aktivistëve të UÇK-së për krijimin e shtetit, duke theksuar se Republika e Kosovës është institucion i lirisë, sovranitetit dhe zhvillimit.
“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës. Republika, në radhë të parë, është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj, kur bëhet fjalë për Republikën dhe sovranitetin, ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe me zhvillimin”, ka thënë ai.
Kryeministri gjatë fjalimit ka reaguar edhe ndaj akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke deklaruar se ish-udhëheqësit e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht vetëm pse guxuan të marrin armët për liri.
Ai ka theksuar se lufta e UÇK-së nuk ishte agresion, por rezistencë ndaj okupimit, shtypjes dhe gjenocidit të regjimit serb.
“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri, kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk morën parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, secilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se Republika e Kosovës nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe demokracinë.
“Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne. Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim, edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve, Kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhje demokratike”, ka deklaruar Kurti.
