Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë, ka deklaruar se Republika e Kosovës lindi nga sakrifica dhe qëndresa e fortifikuar e popullit të saj.
Duke folur në rrugën “Luan Haradinaj”, përballë monumentit NEWBORN dhe pranë monumentit Heroinat, ku u mbajt edhe parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, Osmani tha se ky vend simbolizon lindjen e shtetit dhe sakrificën për liri.
Ajo ka thënë se monumenti NEWBORN është shenja identifikuese e shtetit që shpalli pavarësinë më 2008, ndërsa monumenti Heroinat kujton rreth 20 mijë gratë e dhunuara gjatë luftës së viteve 1998–1999 nga regjimi serb.
“Para 18 vitesh Kosova u shpall shtet, por shumë përpara asaj dite, Kosova kishte fituar lirinë. Sot para jush qëndron një Republikë 18-vjeçare, e lindur nga sakrifica, e ushqyer nga qëndresa dhe e fortifikuar nga shpirti i popullit të saj”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka theksuar se Kosova është shtet i lirë, i papërkulur dhe i vendosur për ta mbrojtur lirinë, duke kujtuar se drejtësia për viktimat e luftës mbetet obligim i përhershëm institucional dhe kombëtar.