Kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz priti mijëra qytetarë në Ditën e Pavarësisë.
Herët në mëngjes, tre krerët e shtetit, të shoqëruar nga kabineti qeveritar, bënë homazhe te varrezat e Adem e Hamëz Jasharit dhe 56 dëshmorëve të 5, 6 dhe 7 Marsit 1998.
Mes institucionesh tjera, nderime bënë edhe drejtuesit e komunës së Skenderajt.
Pas homazheve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës uruan lirimin e ish-bashkëluftëtarëve, të cilët po gjykohen në Hagë.
Për të mësuar nga afër historinë e Jasharëve pati edhe udhëtime të organizuara
“Bashkë me nxënësit e klasës së nëntë kemi shprehur dëshirë të vijmë për vizitë te varrezat e Jasharajve, për nder të të ditës së pavarësisë”, ka thënë drejtori i shkollës “Ismet Jashari” në Temeqinë të Malishevës, Hajriz Zabelaj.
Në Prekaz ushtoi kënga për komandantin legjendar Adem Jashari.
Pas nderimeve te varrezat, ky grup veteranësh mbajti një “kuvend përkujtimi” për shokët që u mungojnë, në vendin që ata e quajtën “vula e lirisë dhe pavarësisë”.
“Pra siç e shihni përreth, fëmijë, pleq, plaka, vijnë për të nderuar familjen më të shenjtë sublime, Prekazin, familjen Jashari””, ka thënë ish-komandati i UÇK-së, Ismajl Selmani.
Aty, brezat e ri recituan vargje kushtuar atyre që sollën lirinë dhe pavarësinë.
“Veç tri shkronja s’i harroj, UÇK-në e respektoj”.
“Kosova ime sa shumë që të dua, ti je vend gëzimi, ti je nënë për mua”.
“Por mos harroni, se ky dhe është ujitur me gjakun e tyre. Ky dhe që emrin e ka Kosovë”.
Shumë prindër nderimet te Jasharët i cilësuan borxh e nderim ndaj sakrificës.
“Mesazhi im për këtë festë është që mos ta harrojmë me kaq, që t’ia dimë vlerë edhe më tutje. T’ia dimë vlerën njerëzve tanë, kudo që ndodhen, lirim të shpejtë. Familjes Jashari lavdi të përjetshme”, ka thënë qyetari Qëndrim Syla.
“Duhet m’u eduku, m’i mësu ku ka luftu e gjithë Ushtria Çlirimtar e Kosovës, gjithë populli e ka përkrahë Ushtrinë Çlirimtare”, ka thënë veterani i UÇK-së, Bujar Drenica.
Në shenjë falënderimi e përkujtimi në Prekaz, nga Zvicra kishte udhëtuar edhe një grup prej më shumë se 20 shqiptarësh nga troje të ndryshme.
“Ne duhet ta përcjellim këtë histori dhe nuk duhet ta lëmë assesi që të harrohet”, ka thënë Alida Ramaj, nga shoqata Bashkimi në Bern të Zvicrës.
“Mesazhi jonë është që të vijmë nga gjithë bota, nga të gjitha trojet, sepse vërtetë është një sakrificë që nuk përshkruhet me fjalë”, ka thënë Hamide Haziri-Avdija nga shoqata Bashkimi
“28 Nëntorin e kemi, tash kemi festën e pavarësisë së Kosovës, të tretën e presim. (E treta është që të jemi të gjithë të bashkuar në një flamur) Siç kemi ardhë ne nga Zvicra, nga të gjitha trojet. Kështu ta bëjmë, të gjitha trojet. Për këtë kemi ardhë. Të paharruar t’i kemi këta. Lavdi!”, ka thënë Arben Ramaj nga shoqata Bashkimi.
Ndërkaq, mesazhi i ciceronit të kompleksit memorial të familjes Jashari ishte uniteti.
