Gjatë kundërargumenteve të tij, avokati i Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, i tha trupit gjykues se Prokuroria po përpiqet të zhvendosë barrën e provës te gjyqtarët, duke kërkuar që ata të gjejnë prova që ajo vetë nuk ka arritur t’i paraqesë.
“ZPS-ja nuk ka prova për të mbështetur argumentin e vet. Thelbi i dokumenteve është kaq i dobët, saqë po t’iu referohem këtyre dokumenteve, ZPS-ja do ta bëjë edhe më të dobët argumentin e vet. Në rastin më të mirë, argumentet e ZPS-së janë një harrnim dokumentesh që ua ka lënë juve që t’i mblidhni me njëra-tjetrën, dhe kjo nuk përmbush barrën e Prokurorisë. Në fakt, është Prokuroria që nuk dëshiron të bëni ju punën tuaj. Ata duan që ju të kryeni detyrën që i takon atyre. Ata presin që ju të gjeni prova që ata nuk arritën t’i sigurojnë vetë”, tha Mishetiq.
Ai theksoi se përgjegjësia për të sjellë prova të mjaftueshme bie mbi Prokurorinë dhe se kjo e fundit ka dështuar në këtë drejtim, njofton Dukagjini.
Më tej, Mishetiq përmendi se mbrojtja ka argumentuar vazhdimisht se nuk ekzistojnë prova të besueshme që Thaçi të ketë pasur rol në përgatitjen dhe shpërndarjen e komunikatave apo deklaratave politike të UÇK-së.
“Nuk ka prova të besueshme që Hashim Thaçi ka qenë i përfshirë në përgatitjen dhe shpërndarjen e komunikatave apo deklaratave politike. Ne kemi treguar se ZPS-ja nuk ka ofruar asnjë shpjegim logjik apo racional se pse anëtarët e NPK-së pretendohet të kenë transmetuar qëllimin e përbashkët kriminal përmes komunikatave, nëse UÇK-ja do të kishte pasur një zinxhir komandues”, tha Mishetiq.
Ai gjithashtu shtoi se Prokuroria nuk kishte kundërargumente për të sfiduar këto pika, as deklaratat e ekspertëve ndërkombëtarë që konfirmonin se nuk kishte raporte që lidhin Thaçin me ndonjë aktivitet kriminal.
Sipas Mishetiqit, për shkak se Prokuroria nuk arriti të kundërshtojë këto fakte, ajo u përpoq të krijojë përshtypjen se mbrojtja po pengon trupin gjykues të kryejë detyrën e vet.