Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka kritikuar ashpër qasjen dhe argumentimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) gjatë seancave të fundit gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Dixon tha se të gjitha pretendimet e drejtpërdrejta apo rrethanore kundër Veselit janë të pabazuara, njofton Dukagjini.
“Të gjitha argumentet kundër zotit Veseli janë të pabazuara, qoftë pretendime të drejtpërdrejta apo rrethanore. ZPS-ja ka goditur objektivin e gabuar. Në fakt, të bën të tundësh kokën me argumentet e tyre”, tha ai.
Dixon kërkoi që trupi gjykues ta shpallë të pafajshëm Kadri Veselin, pasi tha se nuk ka prova që e lidhin atë me krimet e pretenduara në atakuzë.
“Mbrojtja ka të drejtë që të tregojë që pretendimet janë të bazuara në thashetheme dhe janë të pabaza. Ajo që mbetet është thjesht thërrime thashethemesh, tregon përbuzje për vet themelimin e kësaj gjykate. Të kontrollohet narrativa e rreme, të gjendet e vërteta në gjithë këtë rrëmujë që nuk ka asnjë provë në argumentet e ZPS-së”, deklaroi Dixon
Avokati i Veselit: Fajësia nuk mund të shpallet mbi thashetheme