Bisedimet mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të synuara për të dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë, përfunduan pa ndonjë përparim të madh.
Takimet trilaterale, që u zhvilluan në Gjenevë, vazhduan deri vonë të martën, por të mërkurën zgjatën vetëm dy orë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Megjithëse i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, kishte shfaqur optimizëm për bisedimet, palët ruse dhe ukrainase i përshkruan ato si “të vështira”.
Moska dhe Kievi mbeten larg njëra-tjetrës në çështjet kyçe të territorit dhe termave të një armëpushimi të mundshëm në këtë konflikt katërvjeçar.
Ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, pranoi se bisedimet ishin sfiduese, por i përshkroi si “biznesore” dhe njoftoi se një takim tjetër do të zhvillohet shumë shpejt.
Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi procesin si “të vështirë” për shkak të dallimeve mes palëve.
Nga ana tjetër, negociatori ukrainas, Rustem Umerov, përdori një ton më pozitiv, duke thënë se diskutimet ishin substanciale dhe intensive dhe se kishte pasur përparim, por nuk mund të jepeshin detaje në këtë fazë.
“Kjo është një punë komplekse që kërkon pajtim mes të gjitha palëve dhe kohë të mjaftueshme,” tha Umerov.
Pak para përfundimit të bisedimeve, Zelensky akuzoi Rusinë se po përpiqej të “zgjaste negociatat që mund të ishin në fazën përfundimtare”.
Delegacionet ruse dhe ukrainase u takuan më parë në bisedime të ndërmjetësuara nga SHBA në Abu Dhabi në janar, të cilat çuan në shkëmbimin e parë të të burgosurve pas disa muajsh. T
ë mërkurën, Zelensky dha të kuptohej se mund të ndodhte një shkëmbim tjetër.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka udhëhequr përpjekjet diplomatike për të përfunduar luftën, ka shfaqur pakënaqësi për ngërçin mes dy palëve.
Negociatat Ukrainë–Rusi hyjnë në fazën e dytë, Uashingtoni flet për avancim