Vatikani refuzon t’i bashkohet Bordit të Paqes të Trumpit

Papa Leo nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ka bërë të ditur diplomati më i lartë i Vatikanit, duke theksuar se menaxhimi i krizave ndërkombëtare duhet t’i mbetet Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Bordi, i cili do të drejtohet për një kohë të pacaktuar nga Trump, fillimisht ishte konceptuar për të mbikëqyrur rindërtimin e Gazës. Megjithatë, qëllimi i tij është zgjeruar për ta shndërruar në një trup global për ruajtjen e paqes.

Papa Leo ishte ftuar t’i bashkohej këtij bordi muajin e kaluar, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.

Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, deklaroi para gazetarëve se Vatikani nuk do ta pranojë ftesën, duke shtuar se disa pika të planit i kanë lënë të habitur dhe se ekzistojnë çështje kritike që duhet të zgjidhen.

Sipas tij, një nga shqetësimet kryesore të Vatikanit është se në nivel ndërkombëtar, menaxhimi i situatave të krizës duhet të jetë para së gjithash përgjegjësi e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ky është një nga pikat mbi të cilat kemi këmbëngulur,” u shpreh Parolin.

Deklaratat e tij erdhën pas pjesëmarrjes në një aktivitet me qeverinë italiane për të shënuar përvjetorin e Pakteve të Lateranit, marrëveshje që krijuan Qytetin e Vatikanit si shtet sovran gati një shekull më parë.

Ndërkohë që Italia dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar se do të marrin pjesë në bord si vëzhgues, kardinali theksoi se Vatikani nuk do të “marrë pjesë në Bordin e Paqes për shkak të natyrës së tij të veçantë, që qartazi nuk është ajo e shteteve të tjera”.

Vatikani nuk është i vetmi që ka refuzuar ftesën.

Britania e Madhe, Franca dhe Norvegjia gjithashtu nuk do t’i bashkohen nismës.

Diplomatë, zyrtarë dhe liderë botërorë kanë shprehur shqetësime lidhur me zgjerimin e mandatit të bordit, drejtimin e tij të pakufizuar nga Trump dhe ndikimin e mundshëm që mund të ketë në punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Papa Leo XIV, papa i parë i lindur në Shtetet e Bashkuara, e ka vendosur ndërtimin e paqes në qendër të pontifikatit të tij.

Muajin e kaluar ai paralajmëroi se “lufta është rikthyer në modë”, në një fjalim të rëndësishëm diplomatik, duke theksuar se Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të luajë një rol kyç në adresimin e konflikteve dhe duke insistuar në rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Që nga zgjedhja e tij, Papa ka bërë thirrje të vazhdueshme për paqe në Gaza, ka mbështetur zgjidhjen me dy shtete dhe të drejtën e palestinezëve për të jetuar në paqe në tokën e tyre.

Gjatë luftës Izrael-Hamas, ai kërkoi lirimin e pengjeve të 7 tetorit, mbajti dialog me udhëheqësit e Izraelit dhe ka shprehur shqetësim për rritjen e antisemitizmit.

Ai ka kritikuar gjithashtu politikat e Trumpit për emigracionin, ndërsa qëndrimi i tij në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare humanitare bie në kontrast me deklaratat e presidentit amerikan, i cili në janar tha për gazetën The New York Times se ndihet i kufizuar vetëm nga “morali i tij”, duke minimizuar rolin e rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.

Bordi i Paqes pritet të mbajë takimin e tij të parë në Uashington të enjten.

Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika