Me refuzimin e kërkesës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Me 3 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, kërkesa e ZKA-së nuk ka kaluar.
Kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, prezantoi kërkesën e ZKA-së.
“Për vitin 2026, ne sot duhet ta dërgojmë një rekomandim tek Komisioni për Buxhet sa i përket buxhetit të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Si komision e kemi pranuar një kërkesë buxhetore nga Zyra Kombëtare e Auditimit, dokumentin e keni në email. Në dokument është cekur se ZKA ka kërkesë për 654 mijë e 18 euro buxhet shtesë, pra buxhet shtesë nga ajo që është paraparë me buxhetin e vitit 2026. Arsyetimet janë më detajisht të paraqitura në dokumentin e plotë, por shkurtimisht: ZKA aktualisht ka 185 punëtorë dhe për vitin 2026 ka në plan edhe 10 punëtorë shtesë. Andaj, buxheti aktual për paga dhe mëditje është 2,666,918 euro dhe për të mbuluar nevojën shtesë për 10 punëtorë kërkohet një buxhet shtesë prej 494,018 euro.
Po ashtu, kërkesa e ZKA-së është edhe për mallra dhe shërbime. Aktualisht, në projektligj janë të buxhetuara 826,100 euro, ndërsa kanë kërkuar edhe 50,000 euro shtesë, duke pasur parasysh furnizimin e domosdoshëm me material zyrtar, derivate për ngrohje dhe për vetura, regjistrimin dhe mirëmbajtjen e veturave, siç është paraqitur në arsyetimin e kërkesës. Kërkesa tjetër ka të bëjë me shpenzimet komunale, ku janë të buxhetuara 40,000 euro dhe kërkohen edhe 10,000 euro shtesë. Gjithashtu, për shpenzimet kapitale nuk kanë fare buxhet të përcaktuar për vitin 2026, ndërsa kërkojnë 100,000 euro për investime apo shpenzime kapitale, ku parashihet blerja e një kombibusi si mjet transportues për personelin e ZKA-së dhe blerja e pajisjeve të teknologjisë informative. Pra, kjo është, në pika të shkurtra, kërkesa e ZKA-së. Nga ajo që unë kam parë, bëhet fjalë për një kërkesë bazike, për buxhet shtesë për personel, për mallra dhe shërbime bazike që janë të domosdoshme për kryerjen e funksionit të ZKA-së”, tha Mustafa.
Zëvendëskryetari i parë i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Durmishi, tha se kërkesa mund të realizohet lehtë nga buxheti i Kosovës.
“Në këtë fazë kemi shumë kërkesa nga organizata të tjera buxhetore që kanë ardhur në komisione të ndryshme. Bazuar edhe në prezantimin e buxhetit që e ka bërë Ministri i Financave, është sqaruar se shumë shpejt do të bëhet rishikimi i buxhetit, për shkak se ky buxhet është i tetorit të vitit të kaluar dhe ka shumë kërkesa edhe nga ministritë, edhe nga komunat për ndryshime.
Në këtë fazë në të cilën jemi, duke analizuar kërkesën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila kryesisht ka të bëjë me paga, mallra dhe shërbime, këto kërkesa mund të akomodohen shumë lehtë gjatë rishikimit të buxhetit, njësoj si kërkesat e organizatave të tjera buxhetore. Prandaj, në këtë fazë nuk duhet të bëjmë ndryshime në buxhet, aq më tepër kur seanca është nesër, pasi kjo do ta prishte strukturën aktuale të buxhetit. Ata nuk do të kenë problem me paga dhe menjëherë muajin e ardhshëm do të fillojë procesi i rishikimit të buxhetit, ku të gjitha këto kërkesa mund të përfshihen”, tha Durmishi.
Ndërsa anëtari i Komisionit nga PDK, Eman Rrahmani, tha se e mbështet kërkesën e ZKA-së, duke përmendur edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës.
“Shqetësimet që i keni dhënë për afatet e shqyrtimit, të cilat po ndikojnë negativisht edhe në kërkesat e organizatave buxhetore që po i shqyrtojmë, janë të dëmshme dhe janë vullnet i rregullores që ne i kemi votuar në Kuvend. Ne ju kemi paralajmëruar se këto afate na sjellin probleme dhe pamundësi për analizë të detajuar, qoftë edhe të këtyre amendamenteve. Mirëpo, ju i keni vendosur këto afate dhe kërkesat janë të drejta dhe legjitime.
Absolutisht që këto mund të reflektohen në rishikimin e buxhetit, sidomos sa i përket punësimit të auditorëve të rinj. Në të kundërtën, do të ketë pengesa në kryerjen e punës me përgjegjësi, në mbikëqyrjen e shpenzimit të parasë publike dhe në aktivitetet e organizatave buxhetore. Ne i mbështesim kërkesat e Zyrës së Auditorit, të cilat janë bërë me qëllim të përmirësimit të punës dhe performancës së përgjithshme.
Por vjen pak çudi të bini në kundërshtim me vetveten nga seanca në seancë. Besoj që duhet t’i keni parasysh veprimet që i merrni në Kuvend dhe që këtu të ketë vazhdimësi, sepse nuk mund të vini në kundërshtim me fjalën tuaj. Përveç të tjerash, ne nuk mund ta dimë nëse do të ketë apo jo rishikim të buxhetit. Unë besoj se deri në muajt qershor–korrik, rishikimet e zakonshme që i keni bërë do të kenë pasoja të mëdha në implementimin e buxheteve të disa organizatave buxhetore.
Nga ana ime ka mbështetje të plotë, meqenëse nga Zyra e Auditorit po shohim vështirësi në arritjen e performancës më të mirë pa pranimin e këtyre kërkesave. Do të bëja edhe një pyetje në aspektin profesional: çfarë ndodh nëse një organizatë buxhetore, siç është Komuna e Prishtinës, nuk e ka të miratuar buxhetin dhe gjatë gjithë vitit funksionon me buxhetin e vitit 2025? A mund të ketë raport jo të mirë të auditimit, i cili ndikon në shumë faktorë dhe shkakton bllokada të vazhdueshme? Cili do të jetë opinioni për një organizatë buxhetore së cilës i mohohet e drejta për shfrytëzimin e parasë publike, të hyrave vetanake dhe grantit qeveritar që i takon me ligj? Unë besoj se si komision kemi të drejtë të japim rekomandim, sepse nëse Komuna e Prishtinës vazhdon me buxhetin e vitit 2025, ju garantoj që raporti i auditorit nuk do të dëshmojë punë, përkushtim dhe shpenzim të parasë publike në mënyrë ligjore, efikase dhe në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti u ndal te buxheti i Prishtinës derisa kërkoi që të trajtohen me kujdes kërkesat.
“Tash përfaqësuesit e shumicës duhet të kenë pak tolerancë për kohëzgjatjen e deklarimeve kohë pas kohe. Mos u ngutni shumë. Mendoj që shqetësimi i kolegut është legjitim, nuk është brengosëse domethënë si qasje, po është legjitim sepse ata janë duke funksionuar me buxhet të vitit 2024. Për arsyet pse kemi ardhë nuk po ndalem tash, nuk është e rëndësishme. Por mendoj që tash është obligim ligjor me u kujdes që aty gjatë leximit, buxheti i komunës së Prishtinës i miratuar në Kuvendin e Komunës të integrohet plotësisht në buxhet. Besoj që Komisioni për Buxhet e ka këtë, është duke u shqyrtuar prej kryetarit besoj ajo çështje. Po atë që mora fjalën: unë kam qenë para tre mandateve anëtar i këtij komisioni, mandej gjatë kam qenë në Komisionin për Buxhet. Kemi pasur një trajtim tjetër të kërkesave të organizatave buxhetore që janë organizata që mbrohen nga Kushtetuta, që janë organizata të pavarura, dhe kërkesave që kanë ardhur prej ministrive dhe institucioneve të tjera. Kërkesat që kanë ardhur prej organizatave që kanë mandat siç thotë Kushtetuta, siç është ZKA-ja, apo Këshilli Gjyqësor i Kosovës, apo Këshilli Prokurorial, apo Avokati i Popullit, i kemi integruar në buxhet ashtu siç janë kërkuar, nën supozimin që janë kërkesa të bazuara në legjislacionin në fuqi, në rregulloret për stafin që janë në fuqi. Nëse nuk kemi vërejtje të tilla që kërkesa nuk është në përputhje me ligjin ose me rregullore të brendshme të ndryshme të qeverisë, i kemi refuzuar. Përndryshe i kemi integruar ashtu siç kanë ardhë si kërkesa. Prandaj kërkoj me shumë kujdes t’i shqyrtojmë kërkesat e tyre, sepse aq sa i pashë mbrëmë e i lexova me kujdes, këto janë në përputhje me Ligjin e Pagave, me rregullore të tjera për shtesat që duhet t’i kenë zyrtarët e tillë në këto institucione. E kam parasysh që mund të ketë kufizime buxhetore, edhe vetë kam qenë ministër i financave, kur s’kemi pasë mundësi me adresuar ta zëmë menjëherë buxhetin për paga dhe shtesa, i kemi parë… deri në fund vitit janë bërë përshtatjet e nevojshme. Po nëse këtyre iu ndalim këtë mundësi dhe këta nuk kanë mundësi me i punësu këta tetë shtesë, në fund të vitit ne kemi me qenë përgjegjës për mosrealizimin e planit të punës të ZKA-së si komision mbikëqyrës. S’kanë me mund me i kry të gjitha auditimet që janë të parapara në planin e tyre. Edhe ne jemi përgjegjës si komision që këta t’i kenë të gjitha resurset në dispozicion për me i kry punët e veta. Unë besoj që sot ose duhet ta miratojmë kërkesën e tyre, ose mazhoranca, bashkë me ministrin e financave, të marrin zotim që këta të shkojnë përpara me këtë punësim siç e kanë paraparë, dhe mandej përshtatjet të bëhen ose në fund të vitit ose me rishikim. Por këtë zotim ne duhet me ia dhënë këtu në komision, edhe në seancë përmes kryetarit të komisionit ose njërit prej jush si përfaqësues të shumicës”, tha Hoti./EO