OKB thotë se mizoritë në Sudan janë ‘shenja të gjenocidit’

Një mision faktmbledhës i OKB-së ka konstatuar se mizoritë e kryera gjatë rrethimit dhe marrjes së qytetit El-Fasher në Sudan mbajnë “shenjat e gjenocidit”.

Forcat paraushtarake të Rapid Support Forces (RSF) e morën kontrollin e qytetit, që ndodhet në rajonin perëndimor të Darfurit, në fund të tetorit, pas një bllokade 18-mujore. Sipas raportit, kjo ishte një nga episodet më të dhunshme të luftës civile që po zgjat prej afro tre vjetësh në Sudan dhe ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare.

Ky është vlerësimi më i afërt deri tani i OKB-së me shpalljen se gjatë konfliktit aktual në Darfur po kryhet gjenocid nga luftëtarët e RSF-së. RSF nuk ka komentuar raportin e fundit, por më herët i ka mohuar akuza të tilla.

Ekspertja e misionit hetimor, Mona Rishmawi, tha se provat e mbledhura – përfshirë rrethimin e zgjatur, urinë dhe mohimin e ndihmës humanitare, si dhe vrasjet masive, përdhunimet, torturat, zhdukjet me forcë dhe deklaratat e vetë autorëve – “lënë vetëm një përfundim të arsyeshëm”. Sipas saj, RSF ka vepruar me qëllim që të shkatërrojë, tërësisht ose pjesërisht, komunitetet Zaghawa dhe Fur në El-Fasher, gjë që përbën tipare të qarta të gjenocidit.

Raporti konstaton se janë kryer të paktën tre veprime bazë që përbëjnë gjenocid, vrasja e anëtarëve të një grupi të mbrojtur etnik, shkaktimi i dëmeve serioze fizike dhe psikologjike, krijimi i qëllimshëm i kushteve të jetesës që synojnë shkatërrimin fizik të grupit, në tërësi ose pjesërisht.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, i cilësoi gjetjet “vërtet të tmerrshme” dhe njoftoi se do t’i paraqesë ato në United Nations Security Council. Ajo kërkoi hetime penale ndërkombëtare për të siguruar përgjegjësi për autorët dhe drejtësi për viktimat, si dhe ndalimin e furnizimit me armë që po ushqen konfliktin.

Lufta civile në Sudan shpërtheu në prill të vitit 2023 si rezultat i një përplasjeje për pushtet mes ushtrisë së rregullt dhe RSF-së lidhur me integrimin e forcave paraushtarake në strukturat shtetërore të sigurisë. Konflikti u përhap në gjithë vendin, i nxitur nga pakënaqësi të vjetra lokale dhe ndarje etnike.

Në Darfur, milicitë arabe që përbëjnë shtyllën e RSF-së kanë shënjestruar komunitetet jo-arabe, duke përdorur metoda të ngjashme me ato të përdorura rreth 20 vjet më parë gjatë konfliktit të përgjakshëm në rajon, në kohën e ish-presidentit Omar al-Bashir.

Sipas raportit, El-Fasher u urit dhe u shkatërrua qëllimisht gjatë rrethimit të gjatë, duke dobësuar sistematikisht popullsinë e shënjestruar dhe duke e lënë të pambrojtur përballë dhunës ekstreme që pasoi. “Mijëra persona, veçanërisht nga komuniteti Zaghawa, u vranë, u përdhunuan ose u zhdukën gjatë tre ditëve të terrorit absolut”, thuhet në dokument, raporton BBC.

Hetuesit theksojnë se veprimet e RSF-së në El-Fasher përbëjnë një përshkallëzim të praktikave të mëparshme, por në një shkallë shumë më vdekjeprurëse, duke treguar dështimin për të parandaluar krimet pavarësisht paralajmërimeve të qarta. Sipas tyre, pa masa parandaluese dhe pa përgjegjësi penale, rreziku për akte të tjera gjenocidale mbetet serioz dhe i vazhdueshëm.

Mandati i dhënë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Gjenevë kërkon identifikimin e autorëve të dyshuar për t’u mbajtur ata përgjegjës. Raporti përmend edhe liderin e RSF-së, gjeneral-lejtnant Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, si dhe zëdhënësin e forcës, nënkolonel Al-Fatih Al-Qurashi, duke theksuar se ata e kanë pranuar dhe festuar publikisht operacionin.

Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika