Andrew Mountbatten-Windsor është arrestuar nën dyshimin për “keqpërdorim të detyrës publike”, kanë bërë të ditur autoritetet britanike.
Sipas policisë, vëllai i Charles III ndodhet në paraburgim, ndërsa oficerët po kryejnë kontrolle në disa adresa në Berkshire dhe Norfolk.
Fotografi të publikuara nga mediat tregojnë automjete duke hyrë në Sandringham Estate në orët e hershme të mëngjesit, raporton BBC.
Policia ka qenë duke vlerësuar pretendimet se Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew, ka ndarë informacione të ndjeshme me miliarderin dhe të dënuarin për abuzim seksual me të mitur, Jeffrey Epstein, në kohën kur ai shërbente si i dërguar speciak për tregti i Mbretërisë së Bashkuar.
Ndihmës-shefi i policisë, Oliver Wright, deklaroi se tashmë kanë nisur hetimet.
“Pas një vlerësimi të plotë, tashmë kemi hapur një hetim për këtë pretendim për keqpërdorim të detyrës publike.
Është e rëndësishme të mbrojmë integritetin dhe objektivitetin e hetimit tonë, ndërsa bashkëpunojmë me partnerët për të shqyrtuar këtë vepër të dyshuar penale”.
Andrew, i cili sot mbush 66 vjeç, ka mohuar vazhdimisht çdo pretendim për keqbërje.