Trump planifikon bazë ushtarake për 5,000 trupa në Gaza, me kontroll të përhershëm mbi Bordin e Paqes

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump po planifikon ndërtimin e një baze ushtarake me kapacitet për rreth 5,000 trupa në Rripin e Gazës, që do të shtrihet në mbi 350 akra tokë, sipas dokumenteve të kontraktimit të Bordit të Paqes të shqyrtuara nga “The Guardian”.

Sipas planit, baza do të shërbejë si qendër operative për një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila parashihet të jetë një forcë shumëkombëshe me trupa të angazhuara nga shtete të ndryshme. ISF-ja është pjesë e Bordit të ri të Paqes, një strukturë e krijuar për të qeverisur përkohësisht Gazën. Bordi kryesohet nga Trump dhe udhëhiqet pjesërisht nga dhëndri i tij, Jared Kushner.

Dokumentet parashohin ndërtimin me faza të një kompleksi ushtarak me përmasa rreth 1,400 metra me 1,100 metra. Zona do të rrethohet me 26 kulla vrojtimi të blinduara të montuara mbi rimorkio, do të përfshijë poligon për armë të lehta, bunkerë dhe depo për pajisje ushtarake. E gjithë baza do të jetë e rrethuar me tela me gjemba.

Vendndodhja e planifikuar është një zonë e thatë dhe e rrafshët në jug të Gazës, e mbuluar me shkurre dhe mbetje metali nga bombardimet e viteve të fundit. Sipas burimeve të afërta me procesin, disa kompani ndërkombëtare ndërtimi me përvojë në zona lufte tashmë kanë kryer vizita në terren.

Indonezia thuhet se ka ofruar deri në 8,000 trupa për këtë mision. Presidenti i saj ishte një nga katër liderët e Azisë Juglindore të ftuar në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka autorizuar Bordin e Paqes për krijimin e përkohshëm të ISF-së në Gaza. Sipas mandatit, forca do të ketë për detyrë sigurimin e kufijve të Gazës, ruajtjen e paqes, mbrojtjen e civilëve dhe trajnimin e forcave të verifikuara policore palestineze.

Megjithatë, mbeten të paqarta rregullat e angazhimit në rast të përshkallëzimit të luftimeve, rifillimit të bombardimeve nga Izraeli apo sulmeve nga Hamasi. Po ashtu, nuk është sqaruar roli që do të ketë ISF-ja në çarmatosjen e Hamasit – një kusht ky i vendosur nga Izraeli për të vazhduar procesin e rindërtimit të Gazës.

Megjithëse mbi 20 shtete janë regjistruar si anëtare të Bordit të Paqes, një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar ka qëndruar jashtë kësaj nisme. Edhe pse është krijuar me miratimin e OKB-së, statuti i organizatës thuhet se i jep Trumpit rol të përhershëm drejtues dhe kontroll të zgjeruar mbi strukturën.

Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika