Konferenca e Sigurisë në Mynih 2026 nuk ishte thjeshtë një forum diplomatik i radhës, por një moment kyç për të kuptuar drejtimin e ri të marrëdhënieve transatlantike dhe implikimet direkte për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor ka thënë në një analizë profesori Gjon Culaj i cili është hulumtues i jashtëm i Institutit “Octopus”.
Sipas Culajt, në një kohë kur rendi ndërkombëtar po përballet me agresionin rus në Ukrainë, rivalitetin strategjik me Kinën dhe tensionet në Lindjen e Mesme, raporti SHBA-BE po kalon nga një fazë varësie tradicionale drejt një partneriteti më të balancuar. Ky rikonfigurim, megjithatë, mbetet jetik për sigurinë e Kosovës.
Në fokus të diskutimeve në Mynih ishte kërkesa amerikane për shpërndarje më të madhe të barrës së sigurisë nga Evropa, ndërsa kryeqendrat evropiane theksuan nevojën për forcim të autonomisë strategjike, pa cenuar boshtin transatlantik. Fjalimet e Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, kancelarit gjerman Friedrich Merz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Keir Starmer reflektuan një “tension konstruktiv” mes realizmit strategjik dhe ruajtjes së unitetit perëndimor.
Culaj vlerëson se mesazhi kryesor për Kosovën është i qartë: pavarësisht rikalibrimeve të politikës së jashtme amerikane dhe kërkesës për më shumë përgjegjësi nga Evropa, aleanca euroatlantike mbetet boshti kryesor i sigurisë në rajon. Në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më multipolar, fuqitë e mëdha veprojnë sipas logjikës së interesit kombëtar dhe balancës së fuqisë – por kjo nuk e zhbën nevojën për kohezion institucional brenda NATO-s.
Agresioni rus në Ukrainë ka shërbyer si katalizator për ristrukturimin e sigurisë evropiane, duke rritur investimet në mbrojtje dhe duke forcuar konceptin e deterrencës. Në këtë kuadër, uniteti SHBA-BE shihet si element vendimtar edhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Nga perspektiva e analizës së Institutit “Octopus”, ruajtja e kohezionit transatlantik është thelbësore për: garantimin e sigurisë së Kosovës përmes arkitekturës së NATO-s, kufizimin e ndikimeve destabilizuese nga aktorë të jashtëm, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e perspektivës euroatlantike.
Culaj thekson se për Kosovën nuk ekziston alternativë strategjike jashtë boshtit euroatlantik. Në një rend ndërkombëtar në tranzicion, ekuilibri i ri transatlantik nuk duhet parë si dobësim i aleancës, por si një fazë ristrukturimi që mund ta forcojë më tej partneritetin SHBA-BE.
Konferenca e Sigurisë në Mynih 2026 sipas Culajt dëshmoi se pavarësisht debateve mbi autonominë strategjike evropiane dhe prioritetet globale të SHBA-ve, uniteti perëndimor mbetet faktor kyç për paqen dhe sigurinë në Evropë dhe për Kosovën në veçanti.
