Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka vlerësuar lartë pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e parë inaugurues të Bordit të Paqes, i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Spahiu, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se kjo pjesëmarrje rikonfirmon rëndësinë gjeopolitike të Kosovës dhe Shqipërisë si të vetme vende të Ballkanit Perëndimor që ishin të ftuara nga Trumpi.
“Është një lajm i mirë dhe shumë i rëndësishëm për kombin në tërësi dhe për dy shtetet si Kosovën ashtu edhe Shqipërinë pasi rikonfirmon rëndësinë gjeopolitike të këtyre dy vende në Ballkanin Perëndimor duke qenë të vetmet që janë ftuar nga Presidenti Trump”, u shpreh Spahiu.
Spahiu, mes tjerash, u shpreh se kjo ftesë është rikonfirmim i tejkalimit të krizës së raporteve Kosovë-ShBA, për të cilat u shpreh se uron që të mos përsëriten më.
Tutje, Spahiu u shpreh se e gjithë kjo është edhe rikonfirmim i mbështetjes së Amerikës për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
“Ftesa që mori presidentja Osmani për të qenë pjesë dhe palë themeluese e këtij organizimi të ri të presidentit amerikan që ka për qëllim të veprojë për të penguar konfliktet dhe të krijojë siguri në Gazë – është një dorështrëngim për politikën tonë të jashtme dhe Kosovën si shtet. Po ashtu është një rikonfirmim i mbështetjes amerikane të integritetit territorial. Mendoj që atë periudhë krize në raportet mes dy vende (Kosovë-ShBA) tashmë është tejkaluar dhe uroj që të mos përsëritet më dhe nga ana tjetër jo vetëm ky organizim dhe udhëtim i presidentes është rikonfirmim i politikës amerikane të mbështetjes së integritetit dhe sovranitet të Kosovës por gjatë muajit të kaluar ishim dëshmitarë të një deklarate të fortë të presidentit amerikan për mbështetjen e vërtetë të Kosovës në aspektin e shtetësisë së saj. Mendoj që është një moment shumë i rëndësishëm për ne dhe është një lloj mirënjohje për pozicionin dhe politikën e Kosovës pro-perëndimore dhe pro-amerikane në këtë rast”, u shpreh Spahiu.