Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, vlerëson se deklarimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se ka pasur rol vendimtar në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, janë shumë të rëndësishme.
Spahiu, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se këto deklarime tregojnë përkujdesjen që ka SHBA-ja për Kosovën dhe se nuk do të pranonin ndonjë konflikt eventual në të ardhmen apo sulm kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj.
“Ishte natyrë e shprehjes dhe stilit të tij të diplomacisë dhe ishte shumë e rëndësishme të thuhej duke ditur presionet që i bëhen Kosovës nga Serbia – kjo shprehu edhe përkujdesjen e Amerikës për Kosovën dhe që të fokusohet në aspektin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Mendoj se kjo ishte diçka që nuk e kemi pritur por është diçka shumë e madhe që ka shërbyer si një ‘dush’ i ftohtë edhe për Beogradin”.
“Siç e dimë Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë përmes presidentit Trump ka vërë theksin në atë që e quan parapengim të luftës mes dy vendeve dhe këtë e ka përsëritur sa e sa herë ndonëse ne s’kemi informacione të qarta se çfarë ka ndodhur – por është shumë inkurajuese ajo që Trump tha pasi la të nënkuptohet se nuk do të pranohet konflikti eventual në të armdhën apo sulmi kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj. Fjalët që tha presidenti amerikan janë diçka jo të zakonshme por shpreh vendosmërinë e Uashtingtonit për të qëndruar pranë Kosovës”, u shpreh Spahiu.
Spahiu, ka folur edhe për kërkesën e Ramës që i kërkoi presidentit amerikan Donald Trump që të ndërhyjë lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë.
“Nuk mund të merret me gjakftohtësi një dënim i mundshëm jo vetëm për ata në Hagë, por edhe për lëvizjen çlirimtare të Kosovës dhe do të krijonte tensione mes vendeve dhe në Ballkan. Nuk mendoj që do të ishte në përmasa të mëdha apo në formën e ndonjë konflikti të hapur – por do të ketë tendosje se do të krijonte një dëshpërim të madh në popullsinë e Kosovës për qasjen e Gjykatës në Hagë. Aty akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe kjo është e pafalshme, individët le të gjykohen në mënyrë të drejtë dhe kredibile dhe Rama për këtë e tërheq vërejtjen që drejtësia të jetë në formën e duhur. Paraqitja e Edi Ramës nuk është jo normale pasi ai është politikan dhe paraqet pikëpamjet e tij në çdo aspekt – tema e Hagës është aktuale dhe këtë e paraqiti para Trumpit dhe e gjithë kjo ka të bëjë me mbrojtjen e pastërtisë së luftës së UÇK-së para gjithë atyre liderëve”, u shpreh Spahiu.