Shtatë persona kanë humbur jetën në Rusi pasi një automjet u fundos pasi theu akullin në Liqenin Baikal, në rajonin e Irkutskut. Viktimat ishin turistë nga Kina që po udhëtonin mbi sipërfaqen e ngrirë të liqenit.
Sipas raportimeve të mediave lokale, automjeti po qarkullonte mbi një shtresë të hollë akulli, e cila u ça papritur, duke bërë që makina të binte në ujë dhe të zhytej në një thellësi prej rreth 18 metrash.
Nga aksidenti arriti të shpëtojë vetëm një person, i cili tashmë ka dhënë deklaratë para autoriteteve hetimore. Shoferi dhe shtatë turistë të tjerë – mes tyre një çift dhe fëmija i tyre 14-vjeçar – humbën jetën. Zhytësit po vazhdojnë operacionet në vendngjarje dhe, sipas njoftimeve, trupat e viktimave janë identifikuar.
Autoritetet ruse kanë hapur një hetim penal lidhur me ngjarjen, duke u bazuar në dispozitat që lidhen me ofrimin e shërbimeve që nuk përmbushin standardet e sigurisë.
Liqeni Baikal është një atraksion i njohur gjatë sezonit të dimrit, kur organizohen ture dhe udhëtime me automjete mbi akull. Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se trashësia e akullit mund të ndryshojë në mënyrë të papritur për shkak të erërave, rrymave ujore dhe luhatjeve të temperaturës, çka shton ndjeshëm rrezikun për vizitorët.