Qytetarët kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Fotografi nga protesta në Prishtinë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me gjyqin për krime lufte në Hagë, foto REL.

Qytetarët në Kosovë presin që ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, të lirohen, pasi sipas tyre akuzat ndaj tyre janë të pabazuara dhe procesi gjyqësor përbën padrejtësi ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Pas përfundimit të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, më 18 shkurt, disa qytetarë në Prishtinë kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Qytetari Bajram Kastrati tha se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së do të nënkuptonte, sipas tij, dënimin e gjithë ushtrisë dhe të Kosovës.

“Jo, qysh janë mposhtë, jashtë çdo norme ligjore. N’botë s’ka ndodh kjo. Po te na ndodh çdo gja. Se me u dënu krerët e UÇK-së, dënohet krejt ushtria, krejt Kosova. Prandaj është mu habit. Po na shpresojmë që në mujain maj me qenë ata këtu. Se janë t’pafajshëm. Merr mendja aq anomali e madhe, thotë prokurori Hashim Thaçi i ka mashtru  mashtru Clark-in e. Kjo është mizerie. Nuk kanë faj ata”, tha ai.

E qytetari Bedri Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve.

“Ata duhet me u liru ata menjëherë. Po të gjithë, të gjithë. absolutisht”, tha ai.

Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt.

Të mërkurën e 18 shkurtit, mbrojtjet e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.

Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.

Më pas, mbrojtja e viktimave tha para trupit gjykues se ajo nuk e ka obligim t’i vërtetojë akuzat ndaj të akuzuarve.

Në fund të ditës, ishte radha e të të akuzuarve për t’u deklaruar përfundimisht rreth akuzave me të cilat ngarkohen.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, secili, ngulën këmbë në fjalët e tyre përmbyllëse se ndihen tërësisht të pafajshëm dhe mbrojtën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të drejtë dhe për çlirimin e një populli që po përballej me një luftë agresore.

Ata thanë se nuk kanë kryer krime dhe se Prokuroria nuk ka mundur t’i arsyetojë akuzat, siç thanë, të pabazuara, kundër tyre.

Pas përfundimit të deklaratave të tyre, kryegjykatësi Charles Smith III e shpalli të mbyllur çështjen gjyqësore.

Seanca e fundit u mbajt vetëm një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes të UÇK-së dhe për të kërkuar gjykim të drejtë.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika