Forcat e Arktikut të Danimarkës njoftuan se kanë evakuar një anëtar ekuipazhi të një anijeje nënujore të SHBA-së pranë bregut të Grenlandës për trajtim të menjëhershëm mjekësor.
Sipas njoftimit të Komandës së Përbashkët Arktike Daneze, anëtari i ekuipazhit u evakuua të shtunën rreth 7 milje detare (13 kilometra) nga Nuuk dhe u transferua në një spital në qytet, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Po të shtunën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi planet për të dërguar një anije spitali në territorin autonom danez të Grenlandës, duke pretenduar se shumë njerëz atje janë të sëmurë dhe nuk po marrin kujdes mjekësor — një deklaratë që nxiti reagimin e kryeministres daneze Mette Frederiksen, e cila mbrojti sistemin shëndetësor të vendit.
“Duke punuar me guvernatorin fantastik të Luizianës, Jeff Landry, ne do të dërgojmë një anije spitali të shkëlqyer në Grenlandë për të kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe nuk po marrin kujdes atje. Po vjen!!!” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke iu referuar emisarit të tij special për Grënlandën.
Marrëdhëniet historikisht të forta mes aleatëve të NATO-s, Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara, të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore, kanë kaluar tensione të mëdha muajt e fundit, ndërsa Trump ka rritur deklaratat për një mundësi të marrjes nën kontroll të ishullit arktik, të pasur me minerale dhe strategjik.
