Ka marrë epilog procesi gjyqësor në procedurë civile pranë Gjykatës Themelore Prizren– dega në Suharekë, për rastin e 3-vjeçares Xh.G., e cila kishte vdekur nga rënia e murit të një shtëpie brenda Qendrës Historike në Prizren.
Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit detyrohet se në emër të dëmit material dhe jomaterial t’ia kompensojë nënës së viktimës, Lirije Gashi 15 mijë euro, vëllait binjak të viktimës të miturit D.G., 8 mijë euro, si dhe për shpenzimet e varrimit dhe ngritjes së përmendores 2 mijë euro.
3-vjeçarja kishte humbur jetën pas shembjes së murit në rrugën “Marin Barleti” në Prizren më 6 qershor 2016, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e Lirije Gashit dhe djalit të saj të mitur D.G (të cilin e përfaqëson e ëma), duke i kompensuar për dëm material në shumën prej 2 mijë, për dëm jomaterial– dhimbjet shpirtërore për Lirijen prej 15 mijë euro, kurse për D., 8 mijë euro dhe për shpenzime të procedurës prej 2 mijë e 550 euro, duke obliguar për pagim të këtyre shumave Qeverinë- Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Për këto pagesa, Gjykata ka përcaktuar edhe kamatën ligjore prej 8%, ndërkaq ka refuzuar si të pabazuara shumat tjera të kërkuara me padi.
Sipas vendimit, paditësit Lirije Gashi (nëna e viktimës), Hajrije Gashi (gjyshja) dhe D.G (vëllai i mitur i viktimës) më 2 korrik 2020 kanë paditur Komunën e Prizrenit, ndërsa më tutje kanë zgjeruar padinë edhe ndaj Qeverisë së Kosovës– Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke kërkuar kompensim të dëmit material e jomaterial në shumë prej 132 mijë e 620 euro.
Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 23 mars 2025.
Gjatë rigjykimit, paditësit kanë kërkuar që në emër të dëmit material për shpenzime të varrimit dhe ngritjes së përmendores të kompensohen me shumën prej 2 mijë e 620 euro, për dëmin jomaterial shumën prej 50 mijë euro për Lirijen, 40 mijë euro për Hajrijen si gjyshe e të ndjerës dhe 40 mijë euro për D.G., vëllanë e të ndjerës.
Gjithashtu, paditësit kanë kërkuar edhe shpenzimet e procedurës që u janë shkaktuar gjatë procesit gjyqësor./Betimipërdrejtësi