Një burrë është qëlluar për vdekje pasi hyri në zonën e sigurisë së rezidencës Mar-a-Lago të presidentit amerikan Donald Trump, në Palm Beach të Floridës, njoftuan autoritetet amerikane.
Sipas Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, agjentët e sigurisë identifikuan një person pranë portës veriore të kompleksit, i cili kishte hyrë pa leje në perimetrin e mbrojtur, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Autoritetet bënë të ditur se burri mbante me vete atë që dukej si një pushkë gjahu dhe një bidon me lëndë djegëse, gjë që ngriti dyshime për një kërcënim të mundshëm.
Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë dhe përballjes me të dyshuarin, ai u qëllua dhe humbi jetën në vendngjarje.
Rrethanat e plota të incidentit janë ende nën hetim.
Zyrtarët nuk kanë dhënë ende detaje mbi identitetin e viktimës apo mbi motivin e mundshëm të veprimit. Gjithashtu, nuk është bërë e ditur nëse në momentin e ngjarjes Trump ndodhej në rezidencë.