ShBA-ja nuk do të tërhiqet nga marrëveshjet e tarifave që ka nënshkruar me vende të ndryshme, përfshirë Britaninë e Madhe, BE-në, Japoninë dhe Zvicrën, ka deklaruar të dielën përfaqësuesi i tregtisë së Donald Trump, Jamieson Greer.
Kjo deklaratë vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë amerikane që shpalli të paligjshme shumë nga tarifat e vendosura më parë nga Trump, çka e detyroi presidentin të njoftonte një tarifë globale prej 15% për të gjitha importet.
Greer theksoi për CBS se kjo tarifë e re është e ndarë nga marrëveshjet që janë nënshkruar gjatë 9 muajve të fundit me rreth 20 vende.
“Duam që partnerët tanë të kuptojnë se këto marrëveshje do të jenë të mira dhe do të qëndrojmë pas tyre,” tha Greer.
Sekretarja britanike e Arsimit, Bridget Phillipson, pranoi se bizneset britanike po përballen me “pasiguri” pas zhvillimeve të fundit, por shtoi se Britania pret që marrëveshjet e saj “preferenciale” me SHBA-në të vazhdojnë.
Bizneset britanike presin gjithashtu që vendi i tyre të forcojë marrëveshjen ekzistuese mes Trump dhe kryeministrit Keir Starmer, nënshkruar në maj të vitit të kaluar.
BE-ja po ashtu u shpreh se “qëndron pas angazhimeve të saj” për marrëveshjen e nënshkruar mes presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, dhe Trump në Skoci në korrik të kaluar, që parashikon një tarifë importi prej 15% për shumicën e produkteve evropiane. Megjithatë, blloku shpreh shqetësim se tarifa e re prej 15% e Trump mund të rrisë më tej tarifat për shumë mallra, përfshirë verërat dhe pijet alkoolike.
Në një deklaratë të fortë, BE-ja u bëri thirrje SHBA-së të mos tërhiqet nga marrëveshja e korrikut: “Marrëveshje është marrëveshje. BE-ja pret që SHBA-ja të respektojë angazhimet e saj.”
Vendimi i Gjykatës së Lartë nxiti zemërim tek Trump, i cili menjëherë njoftoi tarifën e re 15% nën Ligjin e Tregtisë së vitit 1974, një bazë ligjore tjetër nga ajo që shqyrtuan gjykatësit. Kjo ka shkaktuar shqetësim në Britani për një rritje të mundshme të tarifës ekzistuese 10% për mallrat britanike.
Sekretarja Phillipson e përshkroi situatën si “në zhvillim” dhe siguroi bizneset britanike, “Ne gjithmonë do të punojmë që të marrin gjithçka që u nevojitet.”
Eurodeputeti gjerman Bernd Lange, kryetar i komitetit për tregti ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, sugjeroi se votimi i planifikuar javën e ardhshme mbi marrëveshjen me SHBA mund të shtyhet për shkak të pasigurisë së krijuar.
Kreu i politikave tregtare në Dhomat e Tregtisë britanike, William Bain, tha se Britania mund të përdorë këtë zhvillim për të siguruar një marrëveshje më të mirë afatgjatë.
Ai shtoi se Marrëveshja për Mirëqenie Ekonomike (EPD) mes Britanisë dhe SHBA-së në maj nuk ka qenë thjesht për tarifën 10%, por për përjashtimet specifike, si ruajtja e tarifës 0% për industrinë farmaceutike britanike, premtimi për uljen e tarifave 25% për çelikun dhe tarifa 10% për makinat, më e ulët se për disa vende të tjera.