Një 24-vjeçar britanik është në mesin e 19 personave që humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik me autobus në Nepal, kanë bërë të ditur autoritetet policore.
Autobusi, i cili po transportonte turistë, ishte nisur nga Pokhara drejt kryeqytetit Kathmandu, kur humbi kontrollin dhe ra rreth 200 metra poshtë në brigjet e lumit Trishuli River, në distriktin Dhading, në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Në autobus ndodheshin 44 persona, përfshirë shoferin. Nga aksidenti, 25 persona mbetën të lënduar, ndërsa 17 viktima humbën jetën në vendin e ngjarjes. Dy persona të tjerë ndërruan jetë gjatë trajtimit mjekësor, raportoi shërbimi në gjuhën nepaleze i BBC.
Autoritetet kanë njoftuar se deri më tani janë identifikuar nëntë nga viktimat, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim.
Ambasada kineze në Nepal ka deklaruar se një shtetas kinez dyshohet të jetë mes viktimave, ndërkohë që në mesin e të lënduarve janë edhe një shtetas kinez dhe një nga Zelanda e Re. Të gjithë të plagosurit janë dërguar për trajtim në spitalet e kryeqytetit. Në autobus ndodheshin edhe fëmijë.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar se po ofron mbështetje për familjen e shtetasit britanik që humbi jetën dhe është në kontakt me autoritetet lokale, raporton BBC.
Aksidentet rrugore janë të shpeshta në Nepal, për shkak të mirëmbajtjes së dobët të rrugëve dhe terrenit të vështirë malor. Në vitin 2024, të paktën 14 persona humbën jetën pasi një autobus që udhëtonte nga Pokhara në Kathmandu ra në lumin Marsyangdi.
Nepali mbetet një destinacion i njohur për turistët ndërkombëtarë, veçanërisht për alpinistët që vizitojnë vargmalet e Himalajeve, përfshirë edhe zonën e Mount Everest. Vetëm në vitin 2024, tarifat e ngjitjes sollën rreth 5.9 milionë dollarë të ardhura për vendin.