Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka arritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të zhvillojë takimin me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Pak minuta më pas, në Kuvend ka arritur edhe kryeministri Kurti.
Mbetet të shihet nëse do të ketë deklarime nga palët lidhur me takimin.
Një ditë më parë, kryeministri Kurti ka takuar liderin e PDK-së, Bedri Hamza, me të cilin ka diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa sipas afateve kushtetuese, votimi për presidentin e ri duhet të përfundojë më së largu deri më 4 mars.
Për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, përkatësisht 80 vota nga 120 sa janë gjithsej. Secila kandidaturë duhet të mbështetet fillimisht me të paktën 30 nënshkrime deputetësh.
Nëse në dy raundet e para asnjë kandidat nuk arrin të sigurojë 80 vota, atëherë në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Kurti ka 57 ulëse në Kuvend, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin me partitë e tjera për të arritur shumicën e kërkuar.
Nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi obligohet të shpallë zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.