Ende po vazhdon takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku po diskutojnë lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Ende nuk ka detaje nga brenda takimit, ndërsa pritet që pas përfundimit të tij palët të japin një qëndrim.
Të dielën, kryeministri Kurti ka zhvilluar takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Pas takimit, Hamza ka theksuar se partia e tij nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesë as kandidatura që nuk e përfaqësojnë unitetin qytetar.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill 2026, ndërsa zgjedhja e një presidenti të ri duhet të përfundojë më së largu deri më 4 mars. Dështimi për të zgjedhur kreun e shtetit do të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Javën e kaluar, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është në pritje të kandidaturave për president, për të ftuar seancën e zgjedhjes së tij apo saj.