“Do të vazhdojmë të rrisim presionin mbi Rusinë”, deklaroi Macron në një dalje të përbashkët me presidentin finlandez Alexander Stubb.
Ai theksoi se BE-ja duhet të avancojë me paketën e re të sanksioneve dhe se diskutimet për këtë çështje do të zhvillohen në ditët në vijim. Sipas tij, angazhimet politike të marra në Këshillin e fundit Evropian duhet të respektohen, duke shtuar se “nuk ka rrugë tjetër”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, reagoi ndaj qëndrimit të Hungarisë dhe Sllovakisë, duke deklaruar se “telegrafet nga Hungaria dhe Sllovakia duhet t’i drejtohen Kremlinit”.
Ai kritikoi kërcënimin e Budapestit për veto lidhur me rihapjen e tubacionit të naftës Druzhba, i cili është dëmtuar nga një sulm rus.
Sybiha theksoi se këto dy shtete nuk mund ta mbajnë peng të gjithë Bashkimin Evropian dhe u bëri thirrje që të angazhohen në një bashkëpunim konstruktiv dhe të tregojnë sjellje të përgjegjshme. Reagimin e tij ai e publikoi në rrjetin social X.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, me synimin që ajo të miratohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së përpara 24 shkurtit, që shënon përvjetorin e katërt të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Hungaria njoftoi një ditë më parë se synon të bllokojë paketën e re të sanksioneve derisa të rifillojnë furnizimet me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba, i cili kalon nëpër territorin ukrainas.