Këshilli i Mandateve u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në seancë, Balluku u përfaqësua nga dy avokatët e saj, Pamela Qirko dhe Ardian Kalia, ndërsa nga ana e SPAK morën pjesë drejtuesi i strukturës, Klodian Braho, si dhe prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Avokati i Ballukut deklaroi se Prokuroria ka detyrimin të provojë kushtet ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë që kërkon të zëvendësojë. Sipas tij, Balluku e ka zbatuar masën aktuale, nuk është paraqitur në detyrë dhe ka dorëzuar menjëherë çdo dokument personal.
Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës në Këshill kanë paraqitur një qëndrim përfundimtar, duke rekomanduar dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin ose heqjen e lirisë së Ballukut përmes zëvendësimit të masës së “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” me arrest në burg ose arrest shtëpie.
Në qëndrimin e pesë anëtarëve të opozitës thuhet se deputetët duhet të votojnë pro kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025, të SPAK, duke miratuar autorizimin për zëvendësimin e masave të sigurisë të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale me masën e arrestit në burg ose në shtëpi. Kërkesa lidhet me procedimin penal nr. 136 të vitit 2025, ku Balluku është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, sipas neneve 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve u zhvillua për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së vendosur nga GJKKO që e shkarkoi Ballukun nga funksionet publike. Më 6 shkurt, tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese votuan 4 me 4, duke lënë në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres.