Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në këtë takim të parë pas formimit të qeverisë së re, ambasadori britanik e ka uruar Kurtin për mandatin e ri në krye të ekzekutivit.
Gjatë bisedës, palët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në projektet e përbashkëta.
Ata shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qeveritare të Kosovës dhe ambasadës britanike, me synim forcimin e mëtejmë të raporteve mes dy vendeve.
Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se “Republika e Kosovës është gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar”.