Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj A.I. për kanosje ndaj gazetarëve. I pandehuri ndodhet në paraburgim që nga 3 shkurt.
Sipas aktakuzës, më 30 janar 2026, rreth orës 14:30, në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Viti, A.I. i ka kanosur tre gazetarë për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.
Viktimat janë, E.C., gazetare dhe D.N., kameraman i gazetës “Nacionale”, si dhe F.K., gazetar hulumtues i “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria sqaron se gjatë përfundimit të një seance gjyqësore, i pandehuri iu drejtua gazetarëve dhe përpara kamerës vendosi dorën tek fyti në formë kanosëse, duke shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tyre.
“Më datë 30 janar 2026, rreth orës 14:30 minuta, në Gjykatën Themelore në Gjilan-Dega në Viti, i pandehuri A.I, me dashje dhe me qëllim frikësimi i ka kanosur me veprime serioze të dëmtuarit E.C gazetare, D.N kameraman që të dy nga gazeta ‘Nacionale’, dhe të dëmtuarin F.K gazetar hulumtues i ‘Betimi për Drejtësi ‘, për shkak të ushtrimit të detyrës profesionale si gazetar, në atë mënyrë që pas përfundimit të një seance gjyqësore në procedurë civile që ishte duke u zhvilluar në një nga sallat e gjykatës në Viti, derisa të dëmtuarit ishin duke e kryer punën e tyre si gazetar dhe kameraman, i pandehuri ju drejtohet para kamerës, dhe kryen veprimin kanosës duke vendosur dorën e tij tek fyti i tij në formë kanosëse, që nënkupton një mesazh të qartë se personi rrezikon jetën ose integritetin trupor, me çka me këto veprime të kundërligjshme tek të dëmtuarit ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me këtë, A.I. akuzohet për kryerjen e veprës penale “Kanosje”.