Katër persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për mashtrim mbi 1.5 milion euro, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se në bashkëpunim me Policia e Kosovës janë arrestuar M.M., S.B., D.R. dhe B.Z., të cilëve fillimisht u ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Mashtrimi në bashkëkryerje” sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I dyshuari M.M. dyshohet edhe për “Falsifikim të dokumenteve”, ndërsa D.R. edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Sipas hetimeve, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se kanë fshehur fakte relevante dhe kanë vënë në lajthim të dëmtuarin H.M., duke i shkaktuar dëm material në vlerë prej 1,578,180 euro.
Prokurori i shtetit ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat e përfshira në rast, pasi ekziston dyshimi se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Nga gjykata është kërkuar edhe urdhër ndalues përfundimtar për sigurimin e pronës deri në përfundim të procedurës penale.
Me vendim të gjykatës kompetente, të katër të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.