Autoritetet në Meksikë janë në kërkim të 23 të burgosurve që u arratisën nga një burg në qytetin turistik Puerto Vallarta, gjatë një vale të përgjakshme sulmesh të nisura nga karteli i drogës Jalisco New Generation Cartel (CJNG).
Dhuna shpërtheu pasi forcat e sigurisë vranë liderin e kartelit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, i konsideruar si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në Meksikë.
Sipas autoriteteve, persona të armatosur përplasën me veturë njërën nga portat e burgut, duke krijuar mundësinë për arratisjen e 23 të burgosurve. Deri më tani, identitetet e tyre nuk janë bërë publike.
Më shumë se 70 persona humbën jetën nga përplasjet, përfshirë 25 anëtarë të Gardës Kombëtare. Anëtarë të kartelit bllokuan rrugë dhe dogjën dhjetëra automjete në Puerto Vallarta, ndërsa turistët dhe banorët u këshilluan të qëndronin të strehuar.
Disa kompani ajrore pezulluan përkohësisht fluturimet drejt këtij destinacioni bregdetar, ndërsa të paktën dy anije turistike ndryshuan itinerarin duke anuluar ndalesat e planifikuara.
Qeveria meksikane njoftoi se shumica e barrikadave të vendosura nga karteli janë larguar, por mediat lokale raportojnë se tensionet vazhduan edhe në rajone të tjera, raporton BBC.
“El Mencho” ishte në krye të CJNG-së, një organizatë kriminale që vepron në disa shtete të Meksikës dhe merret me prodhim dhe trafik ndërkombëtar droge. Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump e kishte cilësuar atë si një nga objektivat kryesorë për shkak të trafikut të fentanilit drejt SHBA-së dhe kishte ofruar 15 milionë dollarë shpërblim për kapjen e tij.
Sipas ministrit meksikan të Mbrojtjes, ai u lokalizua pas gjurmimit të një prej partnereve të tij romantike dhe u kap në qytetin Tapalpa. Ai ndërroi jetë pak pas arrestimit, si pasojë e plagëve të marra gjatë përplasjes me forcat speciale.