Kurti informon ambasadorët për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Automjetet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në vend, për t’i informuar rreth përgatitjeve për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, i cili pritet të nisë më 15 mars.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka prezantuar punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me fushatat informuese dhe aktivitetet e ndërmarra për të siguruar që qytetarët dhe të huajt që qëndrojnë në Kosovë të jenë të informuar saktë për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre para hyrjes në fuqi të plotë të ligjeve.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim të përbashkët ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës. Ky është takimi i dytë i këtij formati prej se ka filluar zbatimi gradual i Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete me datë 15 janar 2026.

Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë me punën e Ministrisë së Brendshme në informimin sa më të drejtë të të gjithë qytetarëve, fushatës, dhe aktiviteteve tjera të ndërmarra në këtë drejtim në mënyrë që zbatimi i plotë, i cili fillon me datën 15 mars 2026, të ketë paraprakisht informimin e drejtë, të saktë dhe të duhur për çdo të huaj ashtu që ata të jenë të njohur me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre”, thuhet në njoftim.

Të fundit nga rubrika