Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, ka deklaruar se një president nga radhët e familjes së nderuar Familja Jashari do të përbënte “konsensus automatik” në shoqërinë kosovare.
I pyetur nëse ka gatishmëri nga familja Jashari për të propozuar një emër për president, Konjufca u shpreh se pritjet janë pozitive, por theksoi se përgjigjja duhet të vijë nga vetë familja.
“Pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari. Nuk mund të flas për këtë gjë. Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj se kjo është. Ka qenë kryeministri aty”, tha ai.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për votimin e presidentit të ri është 4 marsi, duke e vendosur procesin në një kornizë të ngushtë kohore.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy rundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen së paku 80 vota nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi. Çdo kandidaturë duhet të mbështetet nga të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Nëse në dy raundet e para asnjë kandidat nuk arrin 80 vota, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Dështimi për ta zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues do të kishte pasoja të drejtpërdrejta politike. Nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet kreu i ri i shtetit, vendi do të duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.