Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personat me inicialet S.B., R.M., H.N. dhe B.G., të cilët janë të angazhuar si punëtorë-instruktorë të poligonit të Drenit në Prizren.
Sipas njoftimit, ata dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit zyrtar’’ si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’ – po ashtu dyshohet se këto veprime janë kryer në vazhdimësi që ndërlidhen me rastin që është në hetim ndaj zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), njofton Dukagjini.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndaj të dyshuarve do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet lidhur me këtë çështje penale do të vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës.