Janë bërë mbi 80 ditë qëkur u betua si kryetar i Prishtinës e mbi 100 ditë qëkur doli fitues i zgjedhjeve lokale 2025.
Ndonëse ligji për Vetëqeverisje lokale parasheh që të paktën nënkryetari të zgjidhet brenda një afati 30 ditësh, Përparim Rama nuk e ka zgjedhur as atë dhe as kabinetin e tij qeverisës.
Një parti politike e ka konfirmuar për Dukagjinin se ka pasur bisedime me Ramën për ndarjen e drejtorive.
“Ka pasur ndërkohë por jo diçka intensive, tash s’ka diçka. S’është që kemi ndonjë urgjencë as ata, as na”, ka deklaruar një burim brenda PDK-së.
E nga Zyra për Informim e Komunës kanë thënë se nuk kanë asgjë zyrtare për të ofruar.
Për Institutin GAP, kjo situatë i lë drejtoritë komunale dhe veprimtaritë e tyre të pezulluara.
“Vonesa në emërimin e këtyre drejtorëve, përveç që cenon dhe komprometon imazhin e komunës dhe mundësit për komunën, kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e shërbimeve publike, pasi mungesa e udhëheqjes së qartë në drejtoritë kyçe çon në vendimmarrje të ngadaltë dhe në vështirësi për zbatimin e projekteve të planifikuara. Qytetarët e Prishtinës po përjetojnë pasoja konkrete, duke filluar nga vonesa në mirëmbajtjen e infrastrukturës urbane, menaxhimit të mbeturinave, projekteve të mbetura në gjysmë ose jo të filluara”, ka deklaruar Bekim Salihu – Analist i politikave në Institutin “GAP”.
Mungesa e drejtorëve krijon gjithashtu një vakuum udhëheqës që ndikon negativisht në motivimin dhe organizimin e stafit ekzistues në këto drejtori. Pa një drejtues të emëruar, ekipet nuk kanë orientim strategjik të qartë dhe shpesh hezitojnë të marrin iniciativa për zgjidhjen e problemeve të përditshme. Kjo sjell një lloj paralize administrative që dëmton funksionimin normal të institucioneve komunale.
Nga aspekti i transparencës dhe llogaridhënies, kjo vonesë mund të interpretohet si mungesë gatishmërie për të filluar punën e vërtetë dhe për të realizuar zotimet e fushatës zgjedhore. Çdo ditë që kalon pa drejtorë të emëruar është një ditë e humbur dhe dëshmi e një qasje ku nuk përfillen parimet e qeverisjes se mirë.
Të njëzëri shprehen edhe njohës të qeverisjeve lokale.
“Nuk ka asnjë arsye juridike as administrative që të mos emërojë drejtorët. Mund të spekulojmë se po bëhet për shkak të arsyeve politike meqenëse ende nuk është formu një koalicion…Ligjet në fuqi nuk kanë dispozitë përkatëse ligjore që vendos një afat të caktuar për emërimin e drejtorëve pas dhënies së betimit të kryetarit. Nuk kemi veprim administrativ të një organi mbikëqyrës për këtë situatë. Një situatë e tillë nuk besoj që ndikon në shërbimet rutinore e të përditshme por cenon zhvillimin e politikave lokale sepse ni drejtor u.d që është pozitë joligjore nuk e sheh veten të sigurt përgjatë mandatit qeverisës”, ka deklaruar Shkëlqim Jakupi – Njohës i qeverisjeve lokale.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë ftesë nga Rama për një koalicion të mundshëm.
Ndërkaq, nga AAK, Nisma Socialdemokrate si dhe Lidhja për Prishtinën kanë qenë të paqasshëm në telefon.