As Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj e as ish-kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi nuk janë anëtarë të Këshillit Prokurorial, por për këtë institucion flasin vazhdimisht.
“Detyra e BE-së është e njëanshme pikë. Unë jam Blerim Isufaj që po e them me 1 milion argumente, jo me një. Derisa Matts përfaqëson Zyrën e BE-së këtu s’ka standard të BE-së”, ka deklaruar Blerim Isufaj- Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.
Të paktën kështu e vlerëson kontributin e Bashkimit Evropian, në sistemin e drejtësisë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale.
Në një audio incizim të publikuar nga Betimi për Drejtësi, Isufaj përdor gjuhë të ashpër ndaj BE-së, pas kritikave që kjo zyrë në Kosovë kishte bërë lidhur me moskonstituimin e Këshilli Prokurorial të Kosovës.
Gjuhë kritikuese ndaj BE-së në këtë takim, që ishte mes zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me kryeprokurorët e Prokurorive, kishte përdorur edhe ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi.
“Çka Bashkimi Evropian kërkon këtu thotë vendimet të kundërligjshme. Kush është Bashkimi Evropian? Kush ua jep ato raporte që bojnë Raporte të Progresit? Shoqëria civile dhe individë që dojnë me pa të dështum sistemin prokurorial”, ka theksuar Lumezi.
Kryeprokurori i Speciales, Isufaj kishte folur edhe për anëtarët e KPK-së, që nuk janë prokuror.
“Por flasin grupet e interesit do rrugeçë që na kanë hi në sistem”, ka deklaruar Isufaj.
Ofenduese e shqetësuese e vlerëson këtë gjuhë, anëtari i KPK-së, nga radhët e shoqërisë civile Visar Krasniqi i cili thotë se i janë drejtuar BE-së për këtë.
“Unë së bashku me Dardan Vuniqin dhe Arian Gashi sot kemi dërgu një letër ambasadorit të BE-së, dhe jemi distancuar nga gjuha që është përdorur në këtë audio incizim dhe po ashtu kemi kërkuar nga ambasadori që zyra e BE-së të mos e ndëshkojë Këshillin Prokurorial, në ndonjë formë sepse gjuha e tillë është e individëve e jo e sistemit prokurorial”, ka deklaruar Visar Krasniqi – Anëtar i Këshillit Prokurorial.
Për këtë ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla e cila ka thënë se komentet e tyre janë shqetësuese dhe se janë pasqyrë e gjendjes në të cilën ende ndodhet sistemi prokurorial.
Dukagjini ka provuar të marr një qëndrim nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e nga Prokuroria Speciale e Kosovës, por asnjëra nuk ka kthyer përgjigje.
Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur ende të zgjedh kryesuesin meqë anëtarët janë të ndarë sa i përket certifikimit të rezultatit për procesin zgjedhor për anëtarin e ri të KPK-së, e që është Elza Bajrami- Kastrati.