Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka ashpërsuar retorikën kundër Ukrainës, Bashkimit Evropian dhe opozitës hungareze, në prag të zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare që pritet të mbahen në prill.
Në një postim në rrjetet sociale, Orban sulmoi ashpër udhëheqësit e BE-së, të cilët ai i quan me përçmim “brukselianë”, duke pretenduar se ata kanë arritur një marrëveshje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të vazhduar luftën kundër Rusisë.
“Kjo është lajm i keq për Evropën. Po zgjatet një luftë që qartazi nuk ka zgjidhje në fushëbetejë, por që sjell shkatërrim të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar ai, duke theksuar numrin e lartë të viktimave. “Këtë po e mbështet Brukseli”, shtoi Orban.
Lideri hungarez, i konsideruar shpesh si pro-rus, ka pretenduar se Ukraina dhe Evropa po e humbin luftën dhe se po e provokojnë në mënyrë të panevojshme Rusinë drejt një përplasjeje bërthamore – duke përsëritur narrativa të ngjashme me ato të Kremlinit.
Orbán ka hedhur gjithashtu akuza të pabazuara ndaj liderit të partisë opozitare Tisza, Péter Magyar, duke pretenduar se gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih ai ka arritur një “marrëveshje sekrete” me Bashkimin Evropian, “nën patronazhin gjerman”, për të mbështetur vazhdimin e luftës.
“Hungaria duhet të qëndrojë jashtë kësaj. Qeveria hungareze duhet të garantojë sigurinë e vendit”, ka deklaruar Orban, raporton The Guardian.
Komentet e tij vijnë në një moment delikat politik. Sipas sondazheve të fundit, partia në pushtet e Orbánit po mbetet rreth 10 pikë përqindje pas partisë Tisza të Magyarit, duke rritur presionin mbi kryeministrin që pas 16 vitesh në pushtet rrezikon seriozisht humbjen në zgjedhjet e ardhshme.
Retorika e ashpër kundër Ukrainës dhe BE-së shihet si pjesë e strategjisë së tij për të mobilizuar elektoratin para votimit të prillit.