Përparimi i planit të paqes për Gaza është ndalur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën se si duhet të çarmatoset Hamas, ndërsa Izraeli ka kërcënuar se do të kthehet në një luftë të plotë nëse ky kusht nuk zbatohet shpejt.
Faza e dytë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që u deklarua se filloi në janar, parashikonte çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe vendosjen e një administrate të përkohshme palestineze në Gaza, e mbështetur nga një forcë policore palestineze dhe një forcë ndërkombëtare stabilizuese (ISF).
Plani 20-pikësh, i cili do të mbikëqyret nga Bordit i Paqes së krijuar nga Donald Trump, është i paqartë për renditjen e hapave. Qeveria izraelite kërkon që çarmatimi i plotë i Hamasit të vijë i pari, dhe zyrtarët izraelitë kanë njoftuar se SHBA-ja do të vendosë së shpejti një afat 60-ditor për përfundimin e tij.
“Pritet që ditëve në vijim Hamasit t’i jepet një ultimatum për të çarmatosur dhe për të demilitarizuar plotësisht Gaza-n,” tha të hënën ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, duke shtuar se ultimatum do të vijë nga Washingtoni.
Nëse Hamas nuk përmbahet, forcat izraelite (IDF) do të kenë “legjitimitet ndërkombëtar dhe mbështetje amerikane për ta bërë vetë”.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, raportohet se i ka thënë kabinetit të sigurisë izraelite të dielën se Trump do t’i dorëzojë ultimatumin Hamasit brenda disa ditësh. Megjithatë, presidenti amerikan nuk e përmendi këtë çështje gjatë fjalimit të tij të Shtetit të Unionit të martën, duke u fokusuar vetëm tek kthimi i trupave të pengjeve izraelite dhe pa përmendur Bordit e Paqes.
Edhe nëse shpallet një fushatë çarmatimi, nuk është e qartë se kush do të jetë në gjendje të marrë armët e Hamasit brenda 60 ditëve. Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i përbërë nga 15 teknokratë palestinezë të pavarur, është mbledhur në Kajro për të përgatitur menaxhimin e territorit të shkatërruar, por ende nuk ka hyrë në Gaza.
Sipas një raporti të gazetës izraelite Israel Hayom, NCAG do t’i prezantojë Hamasit në mars një plan 6-mujor për çarmatimin, duke filluar me armët e rënda dhe duke përfunduar me armët e lehta. Në fillim, Hamas duhet të dorëzojë një inventar të armëve të rënda dhe një hartë të tunelëve të ndërtuar nën Gaza.
Militat e tjera, klanet e armatosura dhe bandat do të çarmatosen vetëm pas Hamasit, dhe çdo hap tjetër i fazës së dytë do të varet nga çarmatimi i tij. Raporti citon burime që thonë se Izraeli do të ketë mbështetje ndërkombëtare të plotë për të rifilluar sulmet ndaj Gazës nëse çarmatimi nuk zbatohet.
“Duket më shumë si shpresë sesa një plan serioz,” tha Michael Milshtein, drejtues i Forumit për Studime Palestineze në Qendrën Moshe Dayan për Studime Lindore dhe Afrikane në Universitetin e Tel Avivit, raporton The Guardian.
NCAG nuk është gati të hyjë në Gaza. Financimi ka vonuar dhe nuk mund të hyjë në territor pa marrëveshje sigurie. Një forcë policore po trajnohet për të shërbyer nën komitet, por Izraeli po miraton kandidatët dhe ka refuzuar ata që kanë shërbyer në policinë e Gazës gjatë sundimit të Hamasit, duke argumentuar se janë të ndotur nga lidhjet me të.
Vetëm disa mijëra policë janë trajnuar në Jordan dhe Egjipt, një forcë që shihet si e pamjaftueshme për 2.2 milion banorët e Gazës pas dy vjet bombardimesh të rënda.
Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria kanë ofruar trupa për ISF-në e planifikuar prej 20,000 ushtarësh, por mandati i forcës nuk është dakorduar dhe shtetet kontribuese nuk duan që ushtarët e tyre të detyrohen të marrin armët e Hamasit.
Analistët thonë se Hamas ka shumë gjasa të refuzojë planin e çarmatimit të përshkruar nga shtypi izraelit, pasi kërkon dorëzimin e armëve pa asnjë garanci se Izraeli do të tërhiqet ose se grupet e tjera do të çarmatosen, duke lënë anëtarët e Hamasit të pambrojtur gjatë tranzicionit.
“Detajet e raportit të Israel Hayom do të refuzoheshin menjëherë nga Hamas,” tha Muhammad Shehada, analist i Gazës në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme. “Hamas më shumë mund të pranojë ngrirjen, ruajtjen dhe çaktivizimin e armëve sulmuese (p.sh. raketat), duke mbajtur armët e lehta për të mbrojtur veten nga klanet dhe bandat ose në rast se IDF rifillon operacionet ushtarake.”
Bordi i Paqes mbajti takimin e tij të parë pune në Washington javën e kaluar, por nuk duket se solli qartësi për çarmatimin. Egjipti dhe Arabia Saudite po sugjerojnë një proces të çarmatimit të modeluar sipas marrëveshjes së paqes në Irlandën e Veriut, me faza të çarmatimit të të gjitha grupeve paramilitare, nën mbikëqyrje të një komisioni të pavarur.
Shehada tha se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbështetur pozicionin izraelit duke kërkuar çarmatimin e plotë të Hamasit si kusht për hapat e tjerë. Ai argumentoi se kjo është një recetë për rikthim në luftë të plotë.