Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe të Iranit pritet të zhvillojnë të enjten në Gjenevë raundin e tretë të bisedimeve indirekte, në një përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve rreth programit bërthamor iranian.
Takimet vijnë në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund të urdhërojë sulme ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Bisedimet zhvillohen në një klimë të tensionuar, ndërsa SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në Lindjen e Mesme – dislokimi më i madh që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.
Uashingtoni ka dërguar mijëra trupa, dy aeroplanmbajtëse, anije luftarake, avionë luftarakë dhe mjete furnizimi ajror.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet me forcë çdo sulmi të mundshëm.
Delegacioni iranian në Gjenevë do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, ndërsa pala amerikane përfaqësohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner. Dy raundet e para të bisedimeve u ndërmjetësuan nga Omani.
Çfarë kërkon SHBA dhe çfarë refuzon Irani?
Presidenti Trump ka deklaruar se preferon zgjidhje diplomatike, por ka lënë të hapur mundësinë e një sulmi të kufizuar për të detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje. Megjithatë, ai nuk ka sqaruar qartë se cilat janë kushtet konkrete të SHBA-së.
Uashingtoni dhe Izraeli e akuzojnë prej dekadash Iranin se synon zhvillimin e armës bërthamore.
Irani këmbëngul se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore, megjithëse është i vetmi shtet pa armë bërthamore që ka pasuruar uranium në nivele pranë atyre për përdorim ushtarak.
SHBA goditi tre objekte bërthamore iraniane në qershor të vitit të kaluar, në kuadër të një fushate bombardimesh së bashku me Izraelin. Në atë kohë, Trump deklaroi se objektet ishin “shkatërruar plotësisht”.
Irani thotë se pasurimi u ndal pas sulmeve, por nuk ka lejuar inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të kenë qasje në vendet e dëmtuara, raporton BBC.
Trump ka theksuar se ende nuk ka dëgjuar nga Irani deklaratën e qartë: “Nuk do të kemi kurrë armë bërthamore”.
Megjithatë, pak para fjalimit të tij në Kongres, Araghchi deklaroi në rrjete sociale se Irani “në asnjë rrethanë nuk do të zhvillojë armë bërthamore”, duke e quajtur këtë një “mundësi historike” për një marrëveshje të paprecedentë.
Propozimet dhe vijat e kuqe
Detajet e propozimeve iraniane nuk janë bërë publike. Në diskutim mund të jetë krijimi i një konsorciumi rajonal për pasurimin e uraniumit, si dhe menaxhimi i rreth 400 kilogramëve uranium të pasuruar në nivele të larta që zotëron Irani.
Në këmbim, Teherani kërkon heqjen e sanksioneve që kanë goditur rëndë ekonominë e vendit. Kritikët e regjimit iranian paralajmërojnë se lehtësimi i sanksioneve do t’i jepte frymëmarrje udhëheqjes aktuale.
Irani ka refuzuar kategorikisht diskutimin mbi kufizimin e programit të raketave balistike dhe ndërprerjen e mbështetjes për aleatët e tij në rajon, të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës”, që përfshin Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban, milici në Irak dhe Houthit në Jemen.
Rreziku i përshkallëzimit
Sipas raportimeve në mediat amerikane, Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi fillestar ndaj Gardës Revolucionare ose objekteve bërthamore, për të rritur presionin mbi udhëheqjen iraniane. Nëse negociatat dështojnë, ai mund të konsiderojë edhe një fushatë më të gjerë me synim rrëzimin e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei.
Zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë paralajmëruar për rreziqet e një konflikti të zgjatur, ndërsa Irani ka kërcënuar se do të godasë objektiva amerikane në Lindjen e Mesme dhe Izraelin në rast sulmi.
Bisedimet në Gjenevë shihen si një përpjekje e fundit për të shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë, por mbetet e paqartë nëse palët janë realisht pranë një kompromisi.