Katër persona u vranë nga rojet kufitare të Kubës pasi një skaf i regjistruar në SHBA hapi zjarr në afërsi të brigjeve veriore të ishullit, njoftoi qeveria kubane.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Brendshme e Kubës bëri të ditur se 10 pasagjerët e mjetit lundrues – katër të vrarët dhe gjashtë të plagosurit, të gjithë shtetas kubanë që jetonin në Shtetet e Bashkuara – qëlluan ndaj një anijeje të rojës bregdetare që iu afrua për identifikim të mërkurën.
Sipas autoriteteve, personat në bord, disa me precedentë penalë, ishin të armatosur dhe synonin të “kryenin një infiltrimin për qëllime terroriste”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se edhe SHBA po hetojnë incidentin “tejet të pazakontë”, tutje ai theksoi se Uashingtoni nuk do të mbështetet vetëm në informacionin e dhënë nga autoritetet kubane, por do të verifikojë në mënyrë të pavarur faktet.
Ministria kubane identifikoi gjashtë të mbijetuarit, të cilët janë ndaluar, si dhe një nga personat e vrarë. Sipas deklaratës, shumica prej tyre kishin të kaluar kriminale të lidhur me veprimtari të dhunshme.
Në skaf u gjetën pistoleta, pushkë automatike dhe mjete shpërthyese artizanale, si dhe pajisje të tjera taktike. Autoritetet njoftuan gjithashtu për arrestimin e një personi të njëmbëdhjetë, i cili dyshohet se ka pranuar përfshirjen në planin e pretenduar.
Ngjarja ndodh mes tensioneve të rritura mes SHBA-së dhe Kubës, ndërsa ishulli përballet me krizë të thelluar karburanti, e përkeqësuar nga ndërprerja e furnizimeve me naftë nga Venezuela.