Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj deklaratave nga Moska lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë, duke e cilësuar përfshirjen ruse si një zgjatim të koordinuar të propagandës serbe në nivel ndërkombëtar.
Në postimin e tij në Facebook, Fetoshi shtron pyetjen se a “A janë të huaj serbët e Kosovës?”, duke e konsideruar ndërhyrjen e Rusisë si përpjekje për ta amplifikuar narrativën e alarmit.
Sipas tij, “kur Rusia i vjen në ndihmë Serbisë për narrativën e ‘kërcënimit ekzistencial’ të serbëve me Ligjin për të Huajt në Kosovë, kemi të bëjmë me një zgjatim të koordinuar të dezinformimit, të kamufluar me ‘të drejta e njeriut’”.
Fetoshi thekson se pas konsumimit të kësaj fushate në planin e brendshëm serb, alarmi po tentohet të eksportohet në skenën ndërkombëtare. Në këtë linjë, zëdhënësja e Kremlinit, Maria Zakharova, sipas tij, “vepron si megafon i Serbisë për audiencën ndërkombëtare”, duke përdorur të njëjtën gjuhë si presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë në Beograd.
Ai kritikon faktin se deklaratat nga Moska e paraqesin zbatimin e Ligjit për të Huajt (i plotësuar më 2024) dhe Ligjit për Automjete (2017) si “spastrim të provincës nga popullata serbe”, pa sqaruar se si këto ligje cenojnë serbët e Kosovës, ndërkohë që, sipas tij, injorohet fakti se ato lidhen me harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian për kontrollin kufitar dhe menaxhimin e migracionit.
Sipas Fetoshit, propaganda serbe dhe mediat ruse në Serbi, si Sputnik Srbija dhe RT, e kanë kornizuar këtë proces si “akti i fundit” i një politike represive, me qëllim nxitjen e frikës dhe manipulimin e opinionit publik.
“Prandaj, zgjatimi i kësaj narrative deri në Moskë, s’është gjë tjetër përveç ‘zhurmë më e madhe’ që synon rritjen e shkallës së alarmit ndërkombëtar, me qëllim të pengimit të Kosovës”, shkruan ai.
Në fund, Fetoshi argumenton se interpretimi i këtyre ligjeve si “kërcënim ekzistencial” është pjesë e një skeme manipulimi, duke shtuar se “ligjet duhet të interpretohen si ‘kërcënim ekzistencial’ për serbët, sepse vetëm kështu mund të manipulohen dhe nxiten, në mënyrë që të përdoren edhe më tutje si ‘armë’ kundër Kosovës”.