Ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviq, ka deklaruar se presidenti i Aleksandar Vuçiq mund të jetë i gatshëm të pranojë pavarësinë e Kosovës vetëm për të ruajtur pushtetin dhe për të shmangur sanksionet e mundshme amerikane.
Sipas Vujoviq, një marrëveshje e mundshme për njohjen e Kosovës do të shërbente si mjet politik për Vuçiqin për të zgjatur qëndrimin në pushtet dhe për të shmangur presionet ndërkombëtare, përfshirë ato që lidhen me korrupsionin, manipulimet zgjedhore dhe mosrespektimin e sundimit të ligjit.
Ai komentoi edhe vizitën e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në Uashington, duke pretenduar se zyrtarët amerikanë e kanë informuar Serbinë për një marrëveshje të mundshme që do të çonte drejt njohjes së Kosovës.
Vujoviq tha se kjo do t’i shërbente politikës së Donald Trump për të arritur sukses diplomatik, duke goditur njëkohësisht Bashkimin Evropian dhe Rusinë.
“Gjuriq u ftua në Uashington në mënyrë që Rubio, në emër të qeverisë amerikane dhe Presidentit Donald Trump, ta prezantonte atë me marrëveshjen sekrete detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky ishte qëllimi kryesor i ftesës së Gjuriqit në Uashington. Çdo ditë, hap pas hapi, Serbia po i afrohet formalizimit dhe njohjes zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur.
Duke nënshkruar një marrëveshje detyruese për njohjen e Kosovës, Trump do të arrinte sukses të madh, dhe në të njëjtën kohë do të godiste Bashkimin Evropian dhe Rusinë. Nga ana tjetër, kjo i shkon për shtat Vuçiqit sepse do të blinte kohë që ai të qëndronte në pushtet. Vuçiq kështu do të merrte miratim të heshtur për mbylljen e mediave të pavarura, dhe vendosja e sanksioneve amerikane për korrupsion, vjedhje zgjedhore dhe mosrespektim të sundimit të ligjit sipas Ligjit për Demokracinë në Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Kongresi Amerikan, do të vonohej”, ka thënë Vujoviq.
Vujoviq e përshkroi vizitën e Gjuriqit në SHBA si pjesë të asaj që ai e quajti ‘luftë e dëshpëruar të regjimit në Beograd”.
“Qëllimi i regjimit të Vuçiçit është të mirëpresë EXPO-n në pushtet dhe të shpërblejë veten përsëri me vjedhje të bollshme parash. Për të qëndruar në pushtet, Vuçiq duhet të pranojë propozimin amerikan për njohjen e Kosovës së pavarur. E tëra çfarë ka bërë deri më tani është çmontimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe lëvizjet e fundit në lidhje me integrimin e arsimit dhe kujdesit shëndetësor serb në sistemin e Kosovës konfirmojnë se Vuçiq e ka refuzuar Kosovën. Ai beson se Kosova nuk është më në axhendën e askujt në Serbi dhe se tani është koha për ta dorëzuar atë përfundimisht. Për amerikanët, Kosova është për hir të qëndrimit në pushtet”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, pas vizitës disa-ditore në Uashington, Marko Gjuriq deklaroi se Serbia ka avancuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe se bisedimet me zyrtarët amerikanë kanë ndihmuar në kuptimin më të mirë të prioriteteve kombëtare serbe.