SHBA dhe Irani shënojnë “përparim të rëndësishëm” në bisedimet bërthamore në Gjenevë

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë bërë “përparim të rëndësishëm” në bisedimet për programin bërthamor iranian, të zhvilluara në Gjenevë, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të arrihet një marrëveshje që do të shmangte një konflikt të mundshëm ushtarak.

Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, i cili ndërmjetësoi takimin, tha se negociatat do të rifillojnë “së shpejti” pas konsultimeve në kryeqytetet përkatëse, ndërsa javën e ardhshme do të zhvillohen diskutime në nivel teknik në Vjenë, shkruan BBC.

Delegacionin iranian e udhëhoqi ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili deklaroi se është arritur “progres i mirë”, ndonëse disa çështje mbeten ende të hapura.

Ai theksoi se raundi i ardhshëm i negociatave pritet të mbahet brenda më pak se një jave.

Nga ana amerikane, në bisedime morën pjesë i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner. I pranishëm ishte edhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht me sulme ndaj Iranit, duke urdhëruar një grumbullim të madh forcash ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë aeroplanmbajtëse dhe avionë luftarakë.

Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me forcë në rast të një sulmi.

Për dekada, SHBA-ja dhe Izraeli e kanë akuzuar Iranin për përpjekje për zhvillimin e fshehtë të armëve bërthamore, akuza që Teherani i ka mohuar vazhdimisht, duke këmbëngulur se programi i tij është për qëllime paqësore. Megjithatë, Irani mbetet i vetmi shtet pa armë bërthamore që ka pasuruar uranium në nivele pranë atyre të nevojshme për armë.

Sipas mediave shtetërore iraniane, negociatorët kanë refuzuar kërkesën e SHBA-së për ndalimin e plotë të pasurimit të uraniumit në territorin iranian dhe transferimin jashtë vendit të rezervës prej rreth 400 kilogramësh uraniumi të pasuruar. Megjithatë, raportohet se janë ofruar disa kompromise, përfshirë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të pasurimit për tre deri në pesë vjet, nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Në këmbim të një marrëveshjeje, Teherani kërkon heqjen e sanksioneve ekonomike që kanë goditur rëndë ekonominë e vendit. Kritikët e regjimit iranian paralajmërojnë se çdo lehtësim sanksionesh mund t’i japë frymëmarrje udhëheqjes aktuale.

Raportet në mediat amerikane raportojnë se Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi fillestar ndaj objektivave të Gardës Revolucionare ose objekteve bërthamore iraniane për të rritur presionin, nëse negociatat dështojnë. Në skenarin më ekstrem, përmendet edhe mundësia e një fushate për rrëzimin e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar kundër një marrëveshjeje që nuk përfshin kufizime mbi programin e raketave balistike të Iranit dhe mbështetjen e tij për grupet aleate në rajon.

Të fundit nga rubrika