Policia e Kosovës ka hedhur poshtë raportimet e publikuara në disa media serbe, lidhur me pretendimet për një incident të armatosur në zonën kufitare.
Në një sqarim zyrtar për opinionin publik, Policia thekson se pas verifikimeve institucionale nuk ka asnjë dëshmi apo të dhënë zyrtare për ndonjë rast të pretenduar ku persona të maskuar shqiptarë dyshohej se kishin vendosur pengesa në rrugë dhe kishin qëlluar ndaj policisë serbe në zonën e quajtur Madljika, në Zonën Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore.
Autoritetet kosovare deklarojnë se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme verifikuese dhe se deri më tani nuk ka asnjë konfirmim për ndodhjen e një incidenti të tillë as në zonën kufitare.
Policia e Kosovës vlerëson se publikimet e ngjashme me një raportim të mëparshëm të datës 7 shkurt 2026, i cili pretendonte për të shtëna në territorin e Serbia, mund të jenë pjesë e përpjekjeve të qëllimshme për dezinformim. Sipas njoftimit, zona e përmendur në raportime është fshati Reqicë në territorin e Kosovës.
“Policia e Kosovës (PK) sqaron dhe njëherit njofton opinionin publik lidhur me disa dezinformata të publikuara kryesisht në çarqe e media serbe. Pa verifikim paraprak, janë publikuar shkrime se kinse disa persona shqiptarë të maskuar vendosën pengesa në rrugë, pastaj qëlluan me 10 plumba ndaj policisë serbe në zonën Madljika, siç e quajnë në Zonën Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore.
Policia e Kosovës sqaron me përgjegjësi të plotë institucionale se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore, duke përdorur të gjitha format verifikuese institucionale, duke rezultuar se nuk ka dëshmi apo të dhëna zyrtare për ndonjë rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar të asaj zone.
Fakti që lajmi i djeshëm është i ngjashëm me atë të datës 07.02.2026, ku ishte raportuar se me datën 05.02.2026 rreth orës 16:00 ka pasur të shtëna (më shumë se 100 plumba nga armë automatike) në drejtim të Policisë së Serbisë në fshatin Parada të Kurshumlisë, territori i Serbisë, nga persona të panjohur, të cilët më pas sipas tyre, kishin ikur në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës, shton dyshimet për orkestrim të qëllimshëm të prodhimit të dezinformatave. Bëhet fjalë për zonën e njëjtë, fshati Reqicë në territorin e Republikës së Kosovës.
Deri më tani, bazuar në të gjitha burimet e mundshme në dispozicion nuk ka asnjë konfirmim se një incident i tillë me të vërtetë ka ndodhur, si ditën e djeshme e po ashtu me datën 05.02.2026. Për të gjitha veprimet është njoftuar edhe KFOR-i.
Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë, përfshirë
bashkëpunimin me KFOR-in, me të cilët kryen edhe patrullime të përbashkëta në brezin kufitar.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit kushtetues dhe njoftimin e qytetarëve e mediave me informacione zyrtare, për të parandaluar dezinformatat dhe publikimet me informata të rreme”, thuhet në njoftim.