I vetmi që reagoi menjëherë kur filluan të qarkullonin lajmet për vdekjen e Ajatollah Ali Khamenei ishte Ali Larijani.
Ai nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi lajmin, por përmes një mesazhi në rrjetin social X paralajmëroi hakmarrje ndaj rivalëve të jashtëm dhe u shpreh se do t’u jepte një mësim të paharrueshëm atyre që i konsideron shtypës.
Larijani, 67 vjeç, që drejton Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare, njihet si besnik i Khameneit, edhe pse në të kaluarën ata kanë pasur mosmarrëveshje. Emri i tij është përmendur shpesh javët e fundit si një kandidat i mundshëm për pasardhës të udhëheqësit suprem.
Sipas Kushtetutës iraniane, në raste të tilla formohet një këshill i përkohshëm me tre anëtarë, që merr drejtimin e vendit deri sa një asamble prej 88 klerikësh të zgjedhë pasardhësin. Megjithatë, analistët perëndimorë dhe shërbimet e inteligjencës besojnë se roli vendimtar në periudhën pas Khameneit do t’u takojë Gardës Revolucionare, të njohur si pasdaranët. Thuhet se vetë Khamenei kishte përgatitur një plan për ruajtjen e sistemit, duke kërkuar nga udhëheqësit ushtarakë dhe civilë që të propozonin emrat më të mundshëm për pasardhës. Gjatë këtij tranzicioni, roli i Larijanit pritet të jetë kyç, së bashku me Mohammad Ghalibaf, kryetarin aktual të parlamentit dhe ish-zyrtar i lartë ushtarak.
Larijani vjen nga një familje me ndikim fetar dhe përfaqëson vazhdimësinë e Republikës Islamike, edhe pse ka një arsimim laik dhe ka mbrojtur një temë doktorature mbi filozofin Immanuel Kant. Ai shihet me mosbesim nga rrymat e reja populiste në Iran, që e konsiderojnë simbol të aristokracisë fetare. Lufta për pushtet pritet të jetë e ashpër, duke nxjerrë në pah përplasjet mes grupeve ushtarake dhe klerikëve.
Një tjetër kandidat që kërkon të fuqizojë pozicionin e tij është ish-presidenti Hassan Rouhani, i njohur si politikan i moderuar që arriti marrëveshjen bërthamore me SHBA në 2015. Rouhani ka përvojë të gjatë në qeverisje dhe mbështetje në qarqet fetare, por shihet me dyshim nga konservatorët më të ashpër.
Në listën e kandidatëve të mundshëm përfshihet edhe Hassan Khomeini, nipi i themeluesit të Republikës Islamike, i cili ka peshë për shkak të mbiemrit dhe lidhjeve me aparatin e sigurisë. Ndërkohë, djali i Khameneit, Mojtaba Khamenei, nuk shihet si kandidat real, pasi babai i tij ka deklaruar kundër trashëgimisë familjare të pushtetit.
Ndërkohë që lëvizjet në majat e shtetit kanë nisur prej kohësh, pyetja më e madhe mbetet si do të reagojë populli iranian, i cili pas shtypjeve të dhunshme të protestave duket i vendosur për një ndryshim të vërtetë.