Tre persona në Emiratet e Bashkuara Arabe janë vrarë si pasojë e sulmeve hakmarrëse të Iranit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e vendit në një deklaratë të dielën.
Viktimat ishin shtetas të Pakistanit, Nepalit dhe Bangladeshit, të cilët humbën jetën pasi disa dronë iranianë arritën të depërtonin përmes mbrojtjes ajrore të Emirateve, duke shkaktuar dëme në tokë, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Të paktën 58 persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Në total, Irani lëshoi 165 raketa balistike drejt Emirateve, nga të cilat 152 u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit dhe 13 ranë në det, thuhet në deklaratë. Gjithashtu, dy raketa lundruese (cruise) u zbuluan dhe u asgjësuan.
Ministria bëri të ditur se Irani lëshoi gjithsej 541 dronë, prej të cilëve 506 u interceptuan, ndërsa 35 ranë brenda territorit të vendit.
“Disa mbetje ranë në zona të ndryshme të vendit si rezultat i interceptimit të raketave balistike dhe dronëve nga sistemet e mbrojtjes ajrore, duke shkaktuar dëme materiale të lehta dhe mesatare në një numër pronash civile,” thuhet në deklaratë.