Shefi i sigurisë kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ka deklaruar se vendi i tij “nuk do të negociojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Deklarata u bë përmes një postimi në platformën X, ku Larijani reagoi ndaj raportimeve se zyrtarë në Teheran po planifikonin të rifillonin bisedimet me Uashingtonin.
Larijani është sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit dhe ka shërbyer si këshilltar i liderit suprem të ndjerë iranian, Ajatollah Ali Khamenei, raporton BBC.
Izraeli dhe Hezbollahu në Liban kanë shkëmbyer zjarr derisa konflikti me Iranin zgjerohet.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet izraelite në Bejrut dhe në jug të vendit kanë lënë të paktën 31 të vdekur dhe 149 të plagosur.
Ndërkohë, sulmet e dyshuara iraniane në rajon po vazhdojnë. Shpërthime janë raportuar në Bahrein dhe Dubai, ndërsa në Kuvajt është parë tym pranë ambasadës amerikane.
Të dielën, një raketë iraniane goditi qytetin izraelit Beit Shemesh, duke vrarë nëntë persona.
Përplasjet kanë prekur edhe Qipron, ku një bazë e Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF) është shënjestruar nga një sulm i dyshuar me dron. Familjarët e personelit janë zhvendosur jashtë bazës si masë sigurie.
Shtetet e Bashkuara njoftuan më herët se tre ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve, pa specifikuar vendndodhjen.
Ndërkohë, tensionet kanë ndikuar edhe në ekonomi dhe transport, çmimet globale të naftës u rritën me hapjen e tregjeve aziatike të hënën, ndërsa hapësira ajrore në disa vende të Gjirit mbetet e mbyllur, duke shkaktuar ndërprerje të shumta të fluturimeve.